PDK kërkon rinumërim të votave në Prizren

Zgjedhjet lokale 2017 November 26, 2017 - 17:53

Partia Demokratika e Kosovës, dega në Prizren në një reagim ka kërkuar rinumërim të votave në këtë komunë.

Sipas tyre, rezultatet e votave me kusht tregojnë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit.

“Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, pas numërimit të votave me kusht, potencon se rezultati i votimeve me kusht është tregues i qartë i vullnetit të popullit, si në Prizren, Prishtinë, Dragash dhe Rahovec, dhe ky vullnet i tyre asesi nuk mund të anashkalohet. Në të gjitha këto qytete, fituesit e zgjedhjeve kanë triumfuar edhe në votat me kusht dhe ky është një parametër që triumfuesi në Prizren është PDK-ja dhe jo manipulatorët e keqpërdoruesit”, thuhet në reagim.

“PDK në Prizren, fton organet kompetente që të hapin të gjitha kutitë dhe të rinumërohen votat, në Prizren, për hir të transparencës para qytetarëve dhe mediave, meqë është e vetmja formë e cila qetëson të gjithë ata demokratë dhe demokrate të Prizrenit, ku çdo votë e tyre është e shenjtë dhe garantuesja e vetme e stabilitetit të jetës normale në qytetin e Prizrenit”, deklaron PDK e Prizrenit.

Sipas PDK-së, vetëm rinumërimi do ta tregonte vullnetin e qytetarëve.

“Kërkesa jonë është që të rinumërohen votat e të gjithë qytetarëve, duke qenë ky një mekanizëm për të paraqitur vullnetin e të gjithë qytetarëve të Prizrenit e jo të mbizotëroj mashtrimi dhe deformimi i vullnetit të popullit nga LVV-ja. Vetëm rinumërimi do t’a tregonte shprehjen e vullnetit të qytetarëve të Prizrenit dhe do t’a legjitimonte kryetarin e ardhshëm të Prizrenit”, thuhet në komunikatë.

Madje, PDK-ja paralajmëron se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta quar në vend verdiktin e qytetarëve.

“PDK, do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike, për të quar në vend verdiktin e qytetarëve të Prizrenit, duke mos hequr dorë në zbardhjen e parregullsive dhe keqpërdorimeve që janë bërë në Qendrat e Votimit, nga lëvizja terroriste dhe partnerët e koalicionit terrorist, në ditën e zgjedhjeve, më 19 nëntor, për të cilat ka fakte dhe argumente të qarta”, përfundon reagimi i degës së PDK-së në Prizren. 

Të rekomanduara