Këto janë fjalët e para të Haskukës pas shpalljes së fitores

Zgjedhjet lokale 2017 November 26, 2017 - 16:36

Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje, pas përfundimit të numërimit të votave me kusht, me postë dhe atyre të personave me aftësi të kufizuar, përmes një mesazhi të publikuar në llogarinë personale në Facebook, ka falënderuar të gjithë qytetarët e Prizrenit.

Postimi i plotë i Haskukës:

Para një jave dola për të votuar. Vendvotimi im është shumë afër shtëpisë, prandaj vendosa të ecë. Rrugës më ndali person që më tregoi që kishte udhëtuar nga Zvicra për të votuar për ndryshimin me zemër. Falënderova nga zemra dhe vazhdova rrugën.

Në Shkollën Teknike çdo person më shikonte në sy me një shpresë të matur, guximi ishte aty por kishte një drojë si para provimit. Hyra në vendvotim një entuziazëm tek të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit, më treguan që procesi po shkonte në rregull dhe pa asnjë problem.

Pasi që votova e dija që kamerat më pritnin jashtë tek dera një grua më përqafoi fort, i hutuar e shikova, me kujdes ishte vajza e hallës e cila kishte ardhur me familje nga Stambolli për të më votuar, ata ishin larguar në vitin largët 1956 por ende Prizrenin e konsideronin si atdhe.

Pas votimit eca deri në Shadërvan, kudo vëreja shpresën në sytë e atyre që më përshëndesin. Një gëzim i heshtur vërehej në fytyrat e njerëzve. Shumë më ndalën rrugës, mirëmëngjesi, sabahajrolla… në shqip, turqisht e boshnjakisht, tek të gjithë vëreja një shpresë që ndryshimi mund të ndodhë.

Njëri më foli boshnjakisht më tha që edhe pse partia e tij kishte kërkuar të votoj kundërkandidatin, ai me gjithë familje më kishin votuar mua. Më tha: ata mund të jenë bashkuar atje nalt por ne do të bëhemi më të bashkuar këtu poshtë.

Së pari u lansuan “exit pollët” e porositura, por rezultati përfundimtar tregoi që ne kishim fituar, në shi dhe në borë mijëra qytetarë e mbushën Shadërvanin, festuam deri vonë, festuam me zemër.

Pastaj filloi makineria e gënjeshtrave për të na kontestuar fitoren, shkrime të porositura e lajme të rreme, deklarata me kërcënime, e fshehje të provave, vendime skandaloze, por në fund provat u vërtetuan dhe drejtësia fitoi. Bashkë me fitoren e drejtësisë fitoi demokracia dhe me fitoren e saj fituan qytetarët.
Sot përfundimisht u vërtetua fitorja jonë, fitorja e gjithë banorëve të komunës së Prizrenit, ata votuan për ndryshimin me zemër.

Ata votuan me zemër kundër frikës dhe kërcënimit, votuan me mendje kundër paragjykimit dhe përçarjes, votuan me mendje kundër korrupsionit. Sot u vërtetua se Prizreni nuk blihet me pare dhe se qytetarët kanë vendosur me Zemër për të ardhmen e tyre.

Si pata thënë me dhjetëra herë, qeverisja jonë do të jetë qeverisje e hapur për të gjithë, me të gjithë, bashkë vendosëm, bashkë do të qeverisim.

Të rekomanduara