Rrustemi: KQZ-ja të zhbllokojë numërimin e votave me kusht dhe me postë në Prishtinë e Prizren

Zgjedhjet lokale 2017 November 25, 2017 - 15:27

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi, ka thënë se ndërprerja e numërimit të votave me kusht dhe me postë për komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit, siç thotë ai, nuk ka asnjë bazë dhe vetëm sa i kontribuon dëmtimit të integritetit të zgjedhjeve, transmeton “Zeri.info”.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, kërkuar nga KQZ-ja që të mblidhet sa më parë dhe të zhbllokoj numërimin e votave me kusht dhe me postë për Prishtinë dhe Prizren.

Ky është postimi i plotë:

Ndërprerja e numërimit të votave me kusht dhe me postë për komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit nuk ka asnjë bazë dhe vetëm sa i kontribuon dëmtimit të integritetit të zgjedhjeve. Madje votat me kusht dhe me postë as që kanë qenë objekt i ankesave edhe ashtu të pabazuara. PZAP, duke urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë, edhe pse ato as që ishin numëruar ndonjëherë paraprakisht, shkoi përtej porosive politike të LDK-së dhe të PDK-së. Kërkesa për rinumërimin e tyre është një absurditet i vet PZAP-së.

Prandaj, në lidhje me këtë, KQZ-ja duhet të mblidhet sa më parë dhe të zhbllokojë numërimin e votave me kusht dhe me postë për Prishtinë dhe Prizren. Numërimi i menjëhershëm i këtyre votave do të ndikonte në shtendosjen sado pak të gjendjes së krijuar pas vendimit të pabazuar dhe politikë të PZAP-së.

Të rekomanduara