Dreshaj: U kam bërë mirë njerëzve në diasporë, prandaj mora votat e tyre

Zgjedhjet lokale 2017 November 24, 2017 - 18:36

Lidhja Demokratike nuk po e pranon rezultatin që doli dje pas numërimit të votave me kusht dhe votave me postë, të cilat e vendosën Gani Dreshajn e AAK’së në epërsi.

Dreshaj komenton akuzat e LDK’së, shpjegon nga i erdhën votat dhe a pati mobilizim apo marrëveshje me serbët në Istog dhe jashtë vendit.

Bastioni i përhershëm i LDK’së i rrëshqiti nga duart kësaj partie. Vendlindja e Ibrahim Rugovës, sipas rezultateve nga numërimi i votave me postë, nuk do të jetë e tyre. Nga 671 vota me të cilat printe Haki Rugova, tani Dreshaj i AAK’së ka epërsi të njëjtë, të siguruar falë diasporës. Por këtë po e kundërshton LDK’ja për shkak se po e shohin si produkt të manipulimeve.

Florian Dushi nga LDK’ja tregon se partia e tij kanë dërguar ankesat e tyre në PZAP sot pas orës 15:00. Kjo parti kërkon që të anulohen krejtësisht votat nga diaspora, për shkak të parregullsive.

Akuzat për manipulime nuk po rreshtin nga LDK’ja. Sot kreu i saj, Isa Mustafa tha se votat me postë erdhën me porosi nga pazaret, që sipas tij, i bënë serbët e malazezët.

“Kush i bëri pazar 735 vota nga Mali i Zi, 374 vota nga Austria, 154 vota nga Sllovenia…?! Nga të vdekurit?”, shkroi Mustafa në Facebook.

“Serbët, malazezët, boshnjakët po u dashka të vendosin për Kryetar të Istogut, me kontigjente të eksportuara të votave në emër të tyre. Në qoftë se e lejojmë këtë rast, atëherë kjo bëhet dukuri dhe nuk kemi pse të mbajmë zgjedhje në Kosovë, sepse porositë e votave përmes serbëve, do ta deformojnë vullnetin qytetar”, thuhet më tej në shkrimin e Mustafës.

Kandidati i AAK’së, Gani Dreshaj, ka folur rreth atyre çfarë po akuzohet, se nga i erdhën votat dhe pse serbët mund ta kenë votuar.

“Unë nuk kam asnjë informatë se nga kanë ardhur ato vota, as si kanë ardhur, nuk jam interesuar”, ka thënë Dreshaj.

Po ashtu edhe Dreshaj thotë se ka bërë ankesa në PZAP, kjo për shkak se supozojnë se LDK ka manipuluar me votat e tyre në tri shkolla.

“Le t’i rinumërojnë votat në Istog, në tri shkolla, unë do të dalë me 2000 mijë vota përpara tyre”,

Ankesat e ndërsjella s’kanë të ndalur në Istog. LDK ankohet për votat e diasporës, e AAK, përkatësisht kandidati i saj, thotë se kundërshtarët e tyre ua vodhën e ua prishën votat në brenda në Istog.

Përderisa LDK po e akuzon se votat i erdhën nga Serbia dhe Mali i Zi, Dreshaj e thotë disa herë se nuk ka lidhje as me serbet e as me malazezët, madje, as nuk e di se nga janë votat me postë që ai i mori në shumicë.

Ai mohon edhe se kanë ardhur votat nga emrat e njerëzve të vdekur, ndërsa i kujton kundërkandidatit të tij se ‘200 te vdekur kanë votu në Istog’.

Por, a i erdhën Dreshajt votat me postë për shkak të ndonjë organizimi të tij në diasporë?

Kandidati i AAK’së beson se u votua nga jashtë sepse iu shpërblye mirësia, siç tregon ai.

“Njoh shumë njerëz prej diaspore sepse edhe vet jetoj në diasporë. Nuk ka pasë njëri që nuk i kam bërë mirë”, thotë Dreshaj.

Në bisedën telefonike me Dreshajn, po ashtu ai shprehet i shqetësuar për deklaratat e LDK’së se serbët i ndihmuan në sigurimin e votave nga jashtë. Këtu ai flet edhe për serbët e Istogut, ndërsa thotë se nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ka kontaktuar asnjëherë askënd në Serbi.

Dreshaj thotë se LDK ka marrë çdo palë zgjedhje votat e serbëve, duke aluduar se ua ka blerë votat dhe se nuk ka bërë asgjë për qytetarët pakicë që jetojnë në kushte të mjerueshme.

Ndërsa, tani ai beson se serbët mund ta kenë votuar atë, sepse janë të zhgënjyer me kryetarin e deritanishëm , që s’ka bërë asgjë për ta, pos që u a kërkuar vota në zgjedhje.

Të rekomanduara