Shaqir Totaj ‘ia sheh sherrin’ djalit dhe dy deputetëve, ja çfarë i ka ndodhur

Zgjedhjet lokale 2017 November 24, 2017 - 09:37

PDK-ja është dënuar me gjobë nga PZAP-i për thyerje të heshtjes zgjedhore nga djali i Shaqir Totajt dhe deputetët Duda Balje e Nezir Çoçaj.

Postimet në Facebook gjatë heshtjes zgjedhore me thirrje për votim i kushtuan kandidatit për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj me gjobë prej 7 mijë Eurove nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

PZAP ka gjetur të bazuara ankesat dhe pretendimet e BIRN dhe Internews Kosova ndaj subjektit politik PDK, për shkelje të heshtjes zgjedhore. Sipas vendimeve të PZAP-it, thirrjet për votim nga djali i kandidatit Totaj dhe deputetëve të Nezir Cocaj dhe Duda Balje, kanë paraqitur shkelje të rregullave zgjedhore.

Një ditë para zgjedhjeve, djali i kandidatit Totaj, Adonis Totaj, kishte postuar në rrjetin e tij social Facebook një thirrje për të votuar babanë e tij dhe udhëzime se si duhet votuar.

Njëjtë kishte vepruar edhe deputeti Nezir Çoçaj nga radhët e PDK-së.

Ndërkaq deputetja Duda Balje, në një postim në faqen e saj të Facebook-ut i kishte bërë thirrje komunitetit boshnjak për të votuar kandidatin Shaqir Totaj.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e dënoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje me 12 mijë e 300 euro për shkak të thirrjeve që në Facebook i bëri deputeti i Nismës Zafir Berisha në mbështetje të kandidatit për kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka.

Edhe në rundin e parë të zgjedhjeve subjektet politike u dënuan nga PZAP-i pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Për rundin e parë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, BIRN dhe Internews Kosova kanë dorëzuar 112 ankesa në PZAP prej të cilave partitë politike ishin dënuar me 100 mijë euro./KALLXO.com

Të rekomanduara