Votat me kusht përmbysin rezultatin në Istog e në Kllokot

Zgjedhjet lokale 2017 November 24, 2017 - 08:31

Votat me kusht, votat e diasporës dhe të votave të personave me nevoja të veçanta kanë përmbysur rezultatin e balotazhit në Istog dhe në Kllokot duke nxjerrë kështu fitues në Istog kandidatin e AAK-së Gani Dreshajn dhe në Kllokot Bozidar Dejanoviqin nga Iniciativa Qytetare, shkruan sot, gazeta Zeri.

Numërimi i votave me kusht, i votave të diasporës dhe i votave të personave me nevoja të veçanta ka përmbysur rezultatin e balotazhit në Istog dhe në Kllokot duke nxjerrë kështu fitues në Istog kandidatin e AAK-së Gani Dreshajn dhe në Kllokot kandidati Bozidar Dejanoviqin.

Pra, votat me kusht kanë ndryshuar edhe renditjen e partive në vend, gjë që bëjnë AAK-në partinë e cila udhëheq me më së shumti komuna në vend, gjithsej 8 duke lënë pas LDK-në e cila tani udhëheq në 7 komuna. 

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e fundit të tyre mori vendim që të vazhdohet me numërimin e votave me kusht në komuna ku nuk ka mundësi ndërrimi të rezultatit, si dhe miratoi propozimin nga PZAP-i që të fillojë rinumërimi për komunën e Prizrenit në të gjithë vendvotimet, si dhe 35 vendvotime në Dragash, rinumërimi i 3 vendvotimeve në Rahovec dhe mori vendim që rinumërimi i tërësishëm i votave në Prishtinë dhe në Prizren të ndodhë pas numërimit të këtyre votave me kusht.

AAK-ja merr Istogun

Pas numërimit të votave me kusht dhe të atyre me postë në komunën e Istogut, Gani Dreshaj nga AAK-ja ka 671 vota më shumë sesa Haki Rugova i LDK-së. Dreshaj përmes këtyre votave ia ka marrë Rugovës këtë komunë, të cilën kishte qeverisur tashmë 3 mandate.

Nga votat me kusht dhe me postë të numëruara, 1475 kanë shkuar për Dreshajn, ndërsa 133 për Rugovën. Nga rezultatet preliminare pas balotazhit të 19 nëntorit Haki Rugova kishte 10.051 vota, ndërsa 9.380 Gani Dreshaj e diferenca mes tyre ishte 671 vota. Pra doli e njëjta diferencë, por tani në favor të kandidatit të AAK-së. Duke u bazuar në numrin total të votave me kusht dhe votave përmes postës Dreshaj do të jetë kryetari i ri i Istogut.

Menjëherë pas fitores Gani Dreshaj ka reaguar duke falënderuar komunën e Istogut dhe duke thënë se ai do të punojë për të mirën e Istogut.

“Faleminderit Istog, faleminderit diasporë, faleminderit sovran. Ndryshimi ndodhi, betohem se do të jem i të gjithëve, do të jem për të mirën e Istogut, për Istogun evropian. Faleminderit nga zemra!”, ka shkruar kandidati i AAK-së në “Facebook”.

Rugova: Nuk e pranoj rezultatin në Istog

Por një gjë të tillë nuk e ka pranuar Haki Rugova nga LDK-ja, i cili deri në momentin e shpalljes së rezultatit të votave me kusht ishte në epërsi ndaj kundërkandidatit të tij Gani Dreshajt., shkruan Zeri.

Kandidati i LDK-së në këtë komunë, Haki Rugova, ka thënë që nuk e pranon këtë rezultat dhe i ka quajtur këto vota të manipuluara. Madje ai ka thënë që nuk është fare normale që të gjitha votat të shkojnë vetëm për njërin kandidat dhe shtoi që votat me postë janë të manipuluara.

“Natyrisht që do ta kontestojmë rezultatin. Këto vota kanë qenë të manipuluara nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë vendit. Absolutisht nuk do ta pranojmë rezultatin e zgjedhjeve”, ka thënë Haki Rugova.

Ai tutje shtoi që me këtë proces duhet të merren organet e Hetuesisë. “KQZ-ja, PZAP-i e të gjitha organet tjera duhet të merren me manipulimet që kanë ndodhur në këtë proces”, ka thënë Rugova.

Mustafa: Kemi dosjen se si është manipuluar procesi në Istog

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vendimi i PZAP-it është i drejtë, por pavarësisht kësaj ka thënë se LDK-ja posedon dosjen që tregon se procesi në Istog është manipuluar dhe e përsëriti që Haki Rugova është kryetar i Istogut.

“Haki Rugova është kryetar i Istogut. Kemi argumente të mjaftueshme për keqpërdorime që janë bërë me votat me postë për Istogun. Kanë votuar njerëzit e vdekur, i kemi fotot e varrezave të tyre, vëzhguesit kanë vërtetuar pliko të njëjta për të gjitha postimet, printerë të njëjtë dhe letër të njëjtë”, ka thënë Mustafa në reagimin e tij.

Sipas Mustafës, janë falsifikuar identitetet e votuesve dhe këto fakte LDK-ja do t’ia ofrojë PZAP-it dhe Prokurorisë së Shtetit. “Prandaj mos u mashtroni se ka fituar Gani Dreshaj”, ka thënë Mustafa.
Përmbysje e rezultatit edhe në Kllokot

Votat me postë kanë përmbysur rezultatin edhe në komunën e Kllokotit. Pas asaj që ndodhi në Istog, ku Gani Dreshaj fitoi me votat me kusht dhe me postë ndaj Haki Rugovës, ngjashëm ka ndodhur edhe në Kllokot ku kandidati Bozidar Dejanoviq, nga Iniciativa Qytetare, e ka mundur kandidatin e Listës Serbe Strahinja Spasiq. Dejanoviq ka marrë më shumë vota se kundërkandidati i tij kur janë numëruar votat me kusht. Kështu, Lista Serbe e ka humbur pushtetin në komunën e Kllokotit.

Derisa nga rezultatet preliminare Strahinja Spasiq nga Lista Serbe kishte marrë 1030 vota, kandidati tjetër nga GI-ja e që më vonë edhe ai ka kaluar në Listën Serbe, Bozhidar Dejanoviq, ka marrë 1020. Pas numërimit të këtyre votave Dejanoviq ka marrë 22 vota më shumë karshi kundërkandidatit të tij, i cili ka marrë vetëm 2 vota. Kështu që nga numërimi Dejanoviq i ka gjithsej 1042 vota, ndërsa Spasiq 1032 vota./Zeri/.

Të rekomanduara