Rinumërohen tërësisht votat në Prishtinë e në Prizren

Zgjedhjet lokale 2017 November 24, 2017 - 08:14

 Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të votave në Prishtinë e në Prizren para se të numërohen votat me kusht po konsiderohet si i jashtëligjshëm nga lëvizja “Vetëvendosje” derisa nga LDK-ja dhe nga PDK-ja po konsiderohet si i drejtë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërim të tërësishëm të votave në Prishtinë dhe në Prizren para se të bëhet numërimi i votave me kusht dhe i atyre me postë ka tensionuar tej mase raportet mes tria partive më të mëdha politike në vend.

Përfaqësues të lëvizjes “Vetëvendosje” një proces të tillë po e shohin si të jashtëligjshëm derisa në anën tjetër përfaqësues të PDK-së dhe të LDK-së po e konsiderojnë si të drejtë.

Po ashtu, përmes një komunikate për medie rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) vendimin e PZAP-it për rinumërim të votave e ka konsideruar si të padrejtë. Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi që të dërgojë në rinumërim të tërësishëm të votave Prishtinën dhe Prizrenin.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP-it, ka treguar se rinumërimi vjen për arsye se në këto dy komuna janë vërejtur parregullsi. “Po, është zyrtare. Prishtina e Prizreni shkojnë në rinumërim pasi ka pasur parregullsi”, ka thënë ai. 

Këtë vendim të PZAP-it e miratoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, mori vendim që të vazhdohet me numërimin e votave me kusht për këto komuna që nuk kanë probleme e parregullsi dhe pastaj të vazhdojë rinumërimi i komunës së Prizrenit dhe i asaj të Prishtinës.

 Ahmeti: Vendimi i PZAP-it, politik

Pas këtij vendimi reagoi kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti, duke e quajtur vendim politik rinumërimin e votave në Prishtinë e në Prizren. “Të dielën ka folur sovrani, kanë folur qytetarët”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se do t’i ndalin këto vendime politike.

“Me këto vendime politike po mundohen që vendimet e qytetarëve t’i shtrembërojnë”, tha Ahmeti. Ai mendon se është rasti i parë në historinë politike dhe institucionale që të merret për bazë një ankesë e bazuar në rezultatin e ngushtë pa e ditur se cili është ai rezultat, për shkak se nuk ka përfunduar numërimi. Ai tha se nuk ka asnjë dëshmi dhe ankesë që arsyeton marrjen e këtij vendimi. Ahmeti tutje tha se nuk e kupton se si mund të ndodhë rinumërimi i tërësishëm pa përfunduar numërimi i votave me kusht dhe me postë.

Një vendim të tillë e kundërshtoi edhe përfaqësuesi i LVV-së në KQZ Adnan Rrustemi, i cili tha që vendimi i PZAP-it është skandaloz dhe vendim që suspendon vullnetin e votuesve.

"Ky vendim është absurd edhe nga përmbajtja sepse asnjë kuti pothuajse në Prishtinë nuk ka pasur asnjë vërejtje gjatë ditës së zgjedhjeve", ka thënë Rrustemi.

LDK: Prishtinën e kemi fituar

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vendimi i PZAP-it është i drejtë. “Përmes kësaj fituesi do të legjitimohet në mënyrë të drejtë”, ka thënë ai. “Të gjithë ata që i kanë bërë këto gjëra do të përgjigjen dhe do të shkojnë në burg”, ka përfunduar Mustafa, shkruan Zeri.

Kurse nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha për “Zërin” se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se kishte manipulime me votat në Prishtinë. “Mendoj që ka prova të mjaftueshme që të bëhet rinumërimi dhe nuk e di pse duhet të shqetësohen subjektet politike për rinumërim. Ne duhet të jemi të bindur që vota e qytetarit ka shkuar aty ku është nisur”, tha ai.

Më tutje Veliu është treguar i bindur që LDK-ja ka fituar Prishtinën por për shkak të manipulimeve ka dalë një rezultat që nuk e kemi pritur. “Ne jemi të bindur që Prishtinën e kemi fituar, mirëpo për shkak të disa manipulimeve që tash po i vërejmë, ka dalë diçka që ne nuk e kemi pritur sepse kemi punuar vazhdimisht për fitore dhe ishim të bindur që do të jemi fitues”, ka thënë Veliu.

Gjatë ditës së djeshme edhe shefi i përgjithshëm i shtabit zgjedhor të PDK-së, Abelard Tahiri, është treguar i bindur se kandidati i PDK-së në Prizren Shaqir Totaj do ta fitojë Prizrenin. “Pres që në Prizren rezultati final të jetë ndryshe nga rezultati aktual”, ka thënë Tahiri për “Zërin”, duke shtuar se ky rezultat do ta përmbysë “Vetëvendosjen”.

DnV: Vendimet e PZAP-it, pa bazë të mjaftueshme për rinumërim të tërësishëm

Në anën tjetër për vendimin e PZAP-it për rinumërimin e votave ka reaguar rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV), të cilët gjatë vëzhgimit të procesit të votimit dhe të numërimit në ditën e zgjedhjeve për rundin e dytë për kryetarë të komunave nuk kanë evidentuar parregullsi serioze apo mospërfillje të procedurave zgjedhore të cilat mund të dëmtonin procesin apo të devijonin votën e qytetarëve.

“Meqenëse kishte një proces të rregullt zgjedhor jemi të habitur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të urdhëruar rinumërim të tërësishëm në komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit, si dhe rinumërim të pjesshëm në komunën e Dragashit dhe të Rahovecit. Pavarësisht asaj që disa vende praktikojnë rinumërimin në rast të diferencës së ngushtë të rezultateve, një praktikë të tillë nuk e parasheh legjislacioni i Kosovës. Vendimet pa bazë të mjaftueshme mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve, të cilat nga të gjithë akterët u cilësua si ndër proceset më të mira zgjedhore në Kosovë”, thuhet në reagimin e DnV-së.

Në të njëjtën kohë u bëjmë thirrje subjekteve politike të përfshira në këtë proces që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe e kontestimit të procesit zgjedhor e gjithashtu të mos ushtrojnë presion ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe për zbatimin e vendimeve./ZERI/.

 

 

 

 

Të rekomanduara