Zgjedhjet lokale 2017

Publikohen formularët e rezultateve nga vendvotimet në Prishtinë

Publikohen formularët e rezultateve nga vendvotimet në Prishtinë
23 nëntor 2017 • 17 : 12

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e “Formularëve të përputhjes së të dhënave dhe rezultateve”, të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës të raundit të dytë- balotazh.

Të gjithë këta formularë nga vendvotimet janë skenuar dhe publikuar në faqen zyrtare të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Në këto formularë shihen emrat e komisionerëve që e kanë nënshkruar formularin pas numërimit të votave.

KQZ-ja në një njoftim ka thënë se publikimi i kopjeve të skanuara të Formularëve të Rezultateve nga Vendvotimet është bërë me qëllim të rritjes së transparencës.

“Të gjithë kandidatët (për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale) do të mund të shohin rezultatet e tyre për secilin Vendvotim duke shfletuar në mënyrë elektronike kopjet e këtyre formularëve të cilët kanë ardhur nga Vendvotimet”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Në mesin e këtyre formularëve të Prishtinës ka edhe të atillë ku shihet përmirësime të numrit të votave. Në formularët e përmirësuar nuk është shënuar asnjë shpjegim nga ana e komisionit.

Në Formulari  e Rezultateve nga Vendvotimi me numër 1912E/02R ka përmirësime (shih Dokumentin fq- 91). Fillimisht në Formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve, Shpend Ahmetit i figuronte numri i votave 164, rezultat që me vonë i është bartur kandidatit të LDK-së Arban Abrashi.

Sipas këtij formulari, në këtë vendvotim, Ahmeti ka marrë 307 vota, ndërsa Abrashi 164. Pra, ka pasur një ndërrim të rezultateve.

Image

Në mesin e formularëve është edhe ai i cili gabimisht është futur gabimisht në sistemin e KQZ-së dhe që është përmirësuar nga ana e KQZ-së.

© zëri.info