Dreshaj i merr kreun e komunës, Rugova tregon nëse e pranon rezultatin

Zgjedhjet lokale 2017 November 23, 2017 - 16:56

Votat me postë kanë përmbysur rezultatin preliminar të zgjedhjeve komunale në komunën e Istogut, pasi shumica dërrmuese prej tyre kanë shkuar për kandidatin e AAK’së, Gani Dreshajn, raporton Gazeta Metro.

Por, kandidati i LDK’së në këtë komunë, Haki Rugova, ka thënë që nuk e pranon këtër rezultat dhe i ka quajtur këto vota të manipuluara.

I kontaktuar nga Gazeta Metro pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Rugova tha që nuk është fare normale që të gjitha votat të shkojnë vetëm për njërin kandidat dhe shtoi që votat me postë janë të manipuluara dhe rrjedhimisht ai këtë proces e quan të shtrembëruar dhe nuk e pranon.

“Natyrisht që do ta kontestojmë rezultatin, këto vota kanë qenë të manipuluara nga qarqa të caktuara brenda dhe jashtë vendit. Absolutisht nuk do ta pranojmë rezultatin e zgjedhjeve”, tha Haki Rugova për Metron.

Ai tutje shtoi që me këtë proces duhet të merren organet e hetuesisë.

“KQZ’ja, PZAP’i e të gjitha organet tjera duhet të merren me manipulimet që kanë ndodhur në këtë proces”, ka thënë Rugova.

Në raundin e parë, Rugova fitoi zgjedhjet me disa qindra vota më shumë, por në balotazh rezultati u përmbys në favor të kandidatit të AAK’së, Gani Dreshaj.

Të rekomanduara