Ymeri: Gjyqtarët e PZAP i shpallën luftë drejtësisë

Zgjedhjet lokale 2017 November 23, 2017 - 16:34

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e ka quajtur vendimin e gjyqtarëve të PZAP për rinumërim të plotë te vendvotimeve në Prishtinë dhe Prizren.

“Dje gjykatat e kapura i shpallën luftë drejtësisë. Shteti i kapur tash e sa kohë i ka shpallur luftë Republikës”, ka thënë Ymeri, përcjellë Klan Kosova.

Ky është postimi i plotë i Ymerit:

“Ata që e kanë kapur shtetin nuk e kanë bërë këtë vetëm për ta pasur, por për ta përdorur.

Telefonatat e Adem Grabovcit nuk e shpërfaqin nepotizmin, e as rehatimin e miqve (edhe pse ka shumë raste të tilla).

Është shumë më keq se kaq: Adem Grabovci jashtëligjshëm vendos njerëz në pozita kyçe “për shkak se i’u vyn aty”.

Ja pra pse i’u duhen. Për t’ia përdhosur votën qytetarit, për interesa të krerëve të PDK e LDK dhe rrjeteve të tyre kriminale. Për ta vjedhur qytetarin e të mos i ndjekë ligji. Për ta luftuar kundërshtarin në mënyrë që të mos ketë pengesa politike në ndërmarrjen e tyre kriminale.

Sot Gjyqtarët e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtesa dhe pastaj Komisioni Qendror Zgjedhor, i shpallën luftë demokracisë. Dje gjykatat e kapura i shpallën luftë drejtësisë. Shteti i kapur tash e sa kohë i ka shpallur luftë Republikës.

Të gjithë këta bashkë po i shpallin luftë popullit. Të organizuar kundër tij.

Duhet t’ua kthejmë të organizuar.

Nuk mund të ketë qetësi në një vend që e ka kapluar krimi.

Shumica nuk gjunjëzohet e kundër saj nuk fitojnë dot”.

Të rekomanduara