'Luftë' për Prishtinën

Zgjedhjet lokale 2017 November 22, 2017 - 07:58

Rezultati i ngushtë mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit në Prishtinë ka tensionuar situatën politike në dy kampet. Në “Vetëvendosje” janë të bindur se votat me kusht nuk e përmbysin rezultatin, derisa në LDK thonë se konfirmimi i fitores në Prishtinë është çështje ditësh, shkruan sot, gazeta Zeri.

Rezultati i ngushtë zgjedhor mes kandidatëve në zgjedhjet e balotazhit në Prishtinë dhe pritja e numërimit të votave me kusht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë që të ashpërsohet retorika në dy kampet, në lëvizjen “Vetëvendosje” dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili pa votat me kusht, prin për mbi 230 vota nga Arban Abrashi i LDK-së, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se votat me kusht do ta konfirmojnë fitoren e tyre, por, sipas tij, kundërshtarët politikë po mundohen të dezinformojnë me shpifje dhe me sulme.

“Ne jemi të fokusuar në mbrojtjen e çdo vote dhe mbrojtjen e fitores deri në fund. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen me të cilën nuk lejuam që krimi të kthehet në Prishtinë”, ka shkruar mes tjerash ai.

Ndërsa Arban Abrashi i LDK-së po ashtu në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se Prishtina tashmë ka një kryetar të ri dhe ka akuzuar LVV-në se në ditën e votimeve ka organizuar transportin e qytetarëve përmes OJQ-ve për të votuar.

 Në anën tjetër, analistët politikë thonë se KQZ-ja duhet t’i heqë të gjitha dilemat për transparencë gjatë numërimit të këtyre votave vendimtare, sidomos në rastet kur diferenca mes kandidatëve është shumë e vogël si në Prishtinë, në Prizren,..

Rrustemi: LDK-ja po bën propagandë, LVV-ja është fituese

Përfaqësuesi i lëvizjes “Vetëvendosje” në KQZ, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Zërin” se LDK-ja po bën propagandë me kërkesën për rinumërim në Prishtinë ndonëse nuk ka pasur kurrfarë gabimi dhe mospërputhje gjatë numërimit. “Nuk ka pasur kurrfarë gabimi në Prishtinë për rastin që po flisni. Thjesht, votat në procesverbale kanë qenë të prezantuara saktë, si dhe në QNR po ashtu janë përfshirë siç kanë qenë në formularë. Gabimi ka qenë në raportimin si rezultat preliminar nga operatorët e KQZ-së dhe rezultatet preliminare nuk kanë kurrfarë efekti juridik. Është tjetër gjë shfrytëzimi politik përmes propagandës nga ana e LDK-së në përpjekje për ta njollosur procesin zgjedhore”.

Ai thotë se pas numërimit të votave me kusht do të konfirmohet fituesi që doli nga votat e rregullta të 19 nëntorit. “Ngjashëm edhe kërkesa për rinumërim të plotë është vetëm pjesë e propagandës. Nuk mund të ketë kurrfarë rinumërimi kur nuk është hasur asnjë mospërputhje e parregullsi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se procesi po shkon drejt fundit, kanë mbetur që të numërohen votat me kusht dhe me postë para se të shpallen rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja. Sipas tij, rezultati i votave me kusht do të konfirmojë fituesit e njëjtë që kanë dalë nga votat e rregullta të 19 nëntorit.  

Hoti: Do të sigurohemi që u plotësua vullneti i qytetarëve

Ndërkaq Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë për gazetën “Zëri” se LDK-ja po pret rezultatin përfundimtar dhe se do të sigurohen që nuk është bërë asnjë manipulim me vullnetin e qytetarëve.“Ne do të presim rezultatin përfundimtar. Do të sigurohemi se në këtë rezultat të reflektohet vullneti i plotë i qytetarëve”, ka thënë Hoti.

 

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme LDK-ja ka mbajtur një konferencë për këtë çështje ku Ismet Beqiri ka komentuar edhe organizimin e transportit që lëvizja “Vetëvendosje” ua bëri qytetarëve në qendrat e votimit. Ai tha se “Vetëvendosja” merret me të gjithë, pos me Prishtinën dhe është qesharake mënyra se si ata po mundohen ta arsyetojnë këtë gjë.

Ndërkaq për transportin e votuesve i pari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se i kanë listat e atyre votuesve që nuk kanë pasur mundësi transporti, kështu që “Vetëvendosja” për t’i inkurajuar ata ka mundësuar këtë gjë. “Votuesit që kanë treguar se kanë nevojë për transport ne ua kemi ofruar transportin. Ne ua lehtësojmë qytetarëve votimin”, ka thënë Ymeri.

Daka: Votat rinumërohen nëse vendos PZAP-i

Në anën tjetër kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, për kërkesën e LDK-së që të rinumërohen votat në Prishtinë ka thënë se KQZ-ja nuk vendos për kërkesa të tilla, por PZAP-i. Ajo ka thënë se nëse ky Panel urdhëron një gjë të tillë ata do të rinumërojnë votat kudo që i kërkohet. “KQZ-ja nuk merr një vendim të tillë, për këtë do të vendosë PZAP-i dhe në qoftë se na urdhëron që të rinumërojmë kudo në ato komuna që kanë shkuar në balotazh ne do t’i rinumërojmë”, tha Daka.

PZAP: Do t’i shqyrtojmë ankesat e LDK-së

Ndërkaq Mul Desku, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka treguar se LDK-ja i ka dorëzuar tri ankesa për komunën e Prishtinës, për të cilat tha se do të shqyrtohen nga PZAP-i. “Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar katër ankesa. Ato i ka paraqitur për komunën e Prishtinës, si dhe një tjetër për komunën e Dragashit. Ankesat kanë qenë rreth procesit të votimit në kuptimin e parregullsive me pretendimin se janë anuluar një numër i madh i fletëvotimeve dhe kërkon arsyetim pse janë anuluar. Ne do t'i marrim parasysh të gjitha ankesat”, ka thënë Desku.

Cakolli: Gabimi i KQZ-së teknik, s’ka të bëjë me manipulime

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për “Zërin” se gabimi i KQZ-së ka qenë teknik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të lidhet me manipulim me vota nga asnjë subjekt politik. “Mundësia e manipulimit të rezultatit zgjedhor është minimale, për shkak të filtrave të shumtë të sigurisë që përdoren nga ana e KQZ-së dhe monitorimit të procesit qoftë nga vetë subjektet politike, ashtu edhe nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare. Rasti i djeshëm i përmirësimit të rezultatit në një nga qendrat e votimit në Prishtinë vjen si rezultat i një gabimi teknik gjatë futjes së të dhënave në sistem. Kjo nuk mund të lidhet në asnjë formë me tentim për vjedhje të votave nga asnjë subjekt politik”.

Ai tha se rinumërimi ua heq dyshimet, por nëse nuk ka ankesë serioze për këtë atëherë rinumërimi nuk duhet të ndodhë. “Procesi i rinumërimit parimisht i shërben heqjes së të gjitha dyshimeve që mund të kenë palët, mirëpo në rast se nuk ka ankesa serioze që do ta rrezikonin integritetin e procesit në tërësi, atëherë nuk do të duhej të ketë rinumërim”, ka thënë ai.

 

 

 

Të rekomanduara