LDK e PDK kërkojnë rinumërim të votave, ose nuk i pranojnë rezultatet

Zgjedhjet lokale 2017 November 21, 2017 - 18:31

Dy partitë më të fuqishme politike në Kosovë për nga vota popullore, PDK e LDK, nuk do t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve lokale nëse nuk do të rinumërohen votat në Prishtinë, Prizren, Dragash e Rahovec.

Kështu kanë deklaruar sot në emisionin IMAZH në RTK, Lurfi Haziri nga LDK dhe Blerand Stavileci i PDK-së.

Sipas këtyre dy përfaqësuesve, në këto komuna ka dyshime të bazuara se ka pasur keqpërdorim të procesit nga partitë rivale, dhe ankesat janë deponuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Duhet të ketë rinumërim të votave në Prishtinë ku është konfirmuar keqpërdorimi. Por rinumërim duhet të ketë edhe në Dragash, sepse dallimi është vetëm në 18 vota”, tha Lutfi Hazi, aktualisht kryetar i Gjilanit.

Ai tha se LDK është në procesin e faktimit të parregullsive.

Kurse Blerand Stavileci nga PDK tha se partia e tij nuk do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve nëse nuk hiqen të gjitha paqartësitë në proces. “Këtu kërkojmë rinumërim të votave në Prizren, dhe pjesërisht në Rahovec. Janë bërë ankesat brenda afateve ligjore dhe konsiderohen se PZAP nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë të devijohet vullneti i qytetarëve i vendosur në kutitë e votimit” tha Stavileci, transmeton RTKLive.

Ai po ashtu tha se një proces i mirë zgjedhor nuk duhet ta prishin disa parregullsi, si në Prizren, Prishtinë, e Rahovecin.

Stavileci, por edhe Haziri, thanë se askush nuk duhet të këtë ketë drojë nga rinumërimi, ndërsa një kundërshtim i tillë, sipas tyre, e rikonfirmon parregullsinë e qëllimshme.

“Në bazë vërejtjeve tona, presim që të ketë përmbysje të rezultatit sepse askush nuk po ankohet në drejtim të subjektit tonë (PDK) dhe kjo na bënë të besojmë se rezultati mund të përmbyset. Por, pavarësisht epilogut, rinumërimi duhet të ndodhë”, tha Stavileci, sipas të cilit, nëse nuk ka rinumërim apo rivotim, nuk do të ketë legjitimitet.

“Nuk duhet askush të frikësohet nga rinumërimi. Madje nuk besoj se është e mirë për një kryetar komune ta marrë qeverisjen katër vjeçare  pa legjitimitet. Rinumërimi është i domosdoshëm, madje unë kërkoj që të ketë edhe rivotim, edhe pse kjo vështirë të ndodhë”, tha ndërkaq Lutfi Haziri i LDK-së, i cili është optimist se në Prishtinë Arban Abrashi do të dalfitues.

“Rezultati është i përmbysur dhe është shumë afër përmbysjes”, deklaroi Haziri, transmeton RTKlive.

Të rekomanduara