Këto parregullsi u raportuan gjatë procesit zgjedhor të ditës së djeshme

Zgjedhjet lokale 2017 November 20, 2017 - 08:29

Demokracia në Veprim, DnV, ka raportuar për parregullsitë e evidentuara në disa prej qendrave të komunave që kanë shkuar në balotazh.

Ndër parregullsitë kryesore që janë evidentuar ka qenë vështirësia me gjetjen e emrit në listat e vendvotimeve dhe kjo ka ndodhur në 222 qendra të vendvotimeve në gjithë Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjithashtu, fotografimi i votës, votimi jashtë kabinës, asistimi në më shumë se një herë, votimet familjare, si dhe vonesa të hapjes së disa prej qendrave të vendvotimeve janë disa nga parregullsitë e evidentuara në zgjedhjet e 19 nëntorit.

“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 12 vendvotimeve, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionarëve. Komunat në të cilat ka pasur vonesë në hapje janë Prizreni (në 5 raste), Suharekë (në 3 raste), Prishtinë (në 2 raste) dhe Klina e Rahoveci (nga 1 rast)”, u tha në konferencën e parë të DnV-së.

“Ankesa lidhur me listën e votuesve janë raportuar në 202 vendvotime, rreth 11,4% të vendvotimeve. Komunat në të cilat është shënuar ky problem janë në Mitrovicë në 25 vendvotime, Prishtinë në 21 vendvotime, Podujevë në 20 vendvotime, në Prizren në 15 raste”, është thënë në konferencën e DnV-së.

Paradite numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar ka qenë shumë i ulët, në mesditë është rritur numri i tyre, si dhe numri i parregullsive të evidentuara është rritur.

Pas mbylljes së qendrave të votimit DnV-ja ka dalë me rezultate preliminare, duke prezantuar kështu partitë dhe kandidatët që mblodhën shumicën e votave:

Sipas DnV-së, në Prishtinë nga 99% të qendrave të votimit që kishin arritur rezultatet Shpend Ahmeti, nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka fituar kundrejt kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arban Abrashit.

Komuna tjetër e madhe në të cilën ka fituar lëvizja “Vetëvendosje” është Prizreni, ku këtu kandidati Mytaher Haskuka ka mposhtur Shaqir Totajn të PDK-së.

Në Gjilan Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidat Lutfi Hazirin ka arritur të fitojë kundrejt kandidatit të “Vetëvendosjes” Sami Kurteshit.

Kryetar i Istogut do të jetë Haki Rugova nga LDK-ja, i cili ka fituar ndaj kundërkandidat të tij Gani Dreshajt, nga AAK-ja.

Mitrovica edhe për katër vjetët e ardhshme do të udhëhiqet nga Agim Bahtiri i AKR-së. Ai ka arritur të fitojë kundrejt Valdete Idrizit të PDK-së.

Gjakova në këtë rund ka zgjedhur Adrian Gjinin nga AAK-ja për kryetar të Komunës, i cili arriti ta mposhtë Mimoza Kusari-Lilën.

Në Klinë udhëheqës i kësaj komune për katër vjetët e ardhshme do të jetë Zenun Elezaj i AAK-së, duke e mposhtur kështu  kundërkandidatin e tij Sokol Bashotën, nga PDK-ja, shkruan tutje "Zëri".

Në Ferizaj ka fituar Agim Veliu i PDK-së, duke  lënë pas me vota Muharrem Sfarqën e LDK-së.

Kamenica është komuna që do të udhëhiqet nga Qendror Kastrati i LVV-së, i cili në zgjedhjet e së dielës fitoi ndaj  Shaip Surdullit të LDK-së.

Në Rahovec për katër vjetët e ardhshme do të udhëheqë Smajl Latifi i AAK-së , i cili në balotazh ishte me Idriz Vehapin e PDK-së.

Podujevën do ta udhëheqë Agim Veliu i LDK-së, i cili në garë ishte me Ajet Poterën e LVV-së.

Dragashi do të udhëhiqet nga Shaban Shabani i PDK-së.

Shtimja do të udhëhiqet nga Naimi Ismaili i PDK-së. Suhareka nga Bali Muharremaj i AAK-së.

Kryetar i Kaçanikut në katër vjetët e ardhshme do të jetë Besim Ilazi nga PDK-ja, në Vushtrri do të udhëheqë Xhafer Tahiri i LDK-së dhe në Kllokot Strahinja Spasic nga Lista Serbe.

Në përgjithësi, sipas DnV-së, numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar është dukshëm më i ulët se herën e parë./ZËRI/

 

Të rekomanduara