PDK-ja nokautohet në rundin e dytë

Zgjedhjet lokale 2017 November 20, 2017 - 07:53

Humbësja më e madhe në garën e balotazhit është Partia Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit pas disa vitesh nën administrim ka humbur Prizrenin apo siç e quante ndryshe “Jerusalemin” e saj. Fitoren e vetme në shtatë qendrat e mëdha, pavarësisht humbjes së disa bastioneve, e ka shënuar në Ferizaj. Lëvizja “Vetëvendosje” ka arritur t’i fitojë dy qendrat më të mëdha, Prishtinën dhe Prizrenin. Aleanca është fituesja më e madhe e balotazhit, përderisa LDK-ja prin me numër të komunave të fituara, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lëvizja “Vetëvendosje” ka arritur t’i fitojë dy komunat më të mëdha në vend, Prishtinën dhe Prizrenin, në garën e balotazhit që u zhvillua të dielën, ndonëse me një diferencë shumë të vogël duke u bazuar në rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Përpos kësaj, partia më e madhe parlamentare në vend ka arritur të shënojë fitore vetëm edhe në Komunën e Kamenicës, ndërsa ka humbur në Gjilan, në Podujevë dhe në Kaçanik, ku ka qenë në balotazh.

Humbësja më e madhe nga balotazhi i së dielës është Partia Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit pas disa vitesh nën administrim ka humbur Prizrenin apo siç e quante ndryshe “Jerusalemin” e saj, ku për një kohë të gjatë i kishte përqendruar edhe investimet nga qeverisja e nivelit qendror, shkruan tutje "Zëri".

PDK-ja në këto zgjedhje i ka humbur edhe disa bastione të saj: Klinën, Vushtrrinë dhe Rahovecin. Në të parën ka fituar kandidati i AAK-së, ndërsa në të dytën ai i LDK-së.

Partia e Isa Mustafës (LDK) nga zgjedhjet lokale ka mbetur e lidhur me dy qendra të mëdha, Gjilanin dhe Pejën, ndonëse është partia me numrin më të madh të komunave të fituara, përkatësisht tetë sosh.

Pas LDK-së, AAK-ja pa dyshim se është fituesja më e madhe e balotazhit pasi ka fituar shtatë komuna. Ndërsa AKR-ja ka arritur ta ruajë Komunën e Mitrovicës, ku kandidati i saj Agim Bahtiri ka fituar në garën me kandidaten e PDK-së, Valdete Idrizi.

Nga humbja e Idrizit në Mitrovicë dhe e Mimoza Kusari-Lilës në Gjakovë asnjë kandidate femër nuk është zgjedhur kryetare e re në 38 komunat e vendit.

“Vetëvendosja” ruan Prishtinën, “rrëmben” Prizrenin dhe Dardanën

Lëvizja “Vetëvendosje”, si partia më e madhe (e dalë nga zgjedhjet nacionale), sipas rezultateve të dala mbrëmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet lokale mori nën qeverisje gjithsej tri komuna, për dallim nga një sa kishte në zgjedhjet e 2013-s.

Por ndonëse në Prishtinë Shpend Ahmeti udhëhoqi për katër vjet radhazi, këtë herë nuk e pati fare të lehtë ta rimarrë këtë komunë, ani pse në koalicion pati edhe AKR-në (si partia e tretë e dalë nga rundi i parë).

Përkundrazi, sipas rezultateve të KQZ-së, Ahmeti fitoi 41 mijë e 403 vota apo 50,19 për qind, duke i ikur kështu kundërkandidatit Arban Abrashi për vetëm 307 vota, meqë ky i fundit mori 41 mijë e 96 vota (49,81%).

Por, megjithëkëtë LVV-ja arriti ta mposhtë ish-bastionin e fuqishëm të PDK-së (Prizrenin), duke fituar atje më shumë se 50% të votave me kandidatin Mytaher Haskukën (50,32%), e duke lënë pas kundërshtarin politik në këtë garë Shaqir Totajn e PDK-së (49,68%).

Pos këtyre dy komunave, nën kandidaturën e Qëndron Kastratit LVV-ja mori edhe Dardanën, duke futur kështu tri komuna nën ombrellën e saj.
Kastrati me 55,69% të votave la mbrapa kundërkandidatin e tij nga LDK-ja Shaip Surdullin, me vetëm 44,31%.

PDK-ja humb Prizrenin, rikthen Ferizajn

Nga ana tjetër, ajo që e karakterizoi partinë e dytë më të madhe, PDK-në, (sipas zgjedhjeve nacionale) ishte humbja e bastionit të saj - Prizrenit.

Mirëpo, pos kësaj ky subjekt politik me kandidatin Agim Aliu arriti ta rikthejë komunën e Ferizajt, të cilën e kishte humbur në zgjedhjet e 2013-s.
Agim Aliu (me 56,17%) mposhti kundërkandidatin e LDK-së Muharrem Svarqën (43,83%), nga i cili ishte mposhtur pikërisht në rundin e dytë të zgjedhjeve të kaluara.

PDK-ja po ashtu në këtë rund fitoi edhe disa komuna: Kaçanikun (Besim Ilazi me 54,87%), Shtimen (Naim Ismajli me 51,54%), si dhe Komunën e Dragashit (Shaban Shabani me 50,16%).

Duke marrë këto komuna Partia Demokratike e Kosovës (dikur ish-partia më e madhe) arriti që në këto zgjedhje lokale t’i sigurojë gjithsej pesë komuna, duke përfshirë këtu edhe Drenasin që e fitoi në rundin e parë, më 22 tetor.

Megjithatë, ky subjekt politik të dielën ka humbur tre bastionet e saj: Klinën, Vushtrrinë dhe Rahovecin.

LDK-ja prin me numër të komunave të fituara

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndonëse shënoi një rezultat mjaft të mirë në rundin e parë këtë herë nuk arriti ta ruajë komunën e Ferizajt, të cilën e kishte nën udhëheqje mandatin e kaluar, por edhe shumë vite radhazi para se ta kishte PDK-ja.

Megjithatë, LDK-ja ia doli t’i ruajë tri bastionet e saj të fuqishme, Gjilanin (Lutfi Haziri me 63,97%), Podujevën (Agim Veliu me 63,70%) e Istogun (Haki Rugova me 51,88%), të cilat i ka nën udhëheqje tash e sa vite.

Pos kësaj, ky subjekt politik gjatë garës së djeshme fitoi edhe komunën  e Vushtrrisë (me Xhafer Tahirin kandidat 54,31%).

Mirëpo, ajo që dalloi rezultatin e LDK-së dje ishte pamundësia për ta rikthyer komunën e Prishtinës, të cilën e kishte humbur në zgjedhjet e vitit 2013.

Arban Abrashi si kandidat i këtij subjekti, pretendues për ta rikthyer kryeqytetin, nuk ia doli ta bëjë një gjë të tillë për vetëm 307 vota.

Megjithatë, LDK-ja në nivel vendi ia doli t’i marrë gjithsej tetë komuna (duke përfshirë këtu edhe Pejën, Vitinë, Lipjanin e Fushë Kosovën, të fituara në rundin e parë të zgjedhjeve).

Rikthehet AAK-ja, fiton shtatë komuna

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndonëse e ranguar si partia e katërt sipas zgjedhjeve nacionale, gjatë garës për balotazh përpos që arriti ta rikthejë Gjakovën (Ardian Gjini, 53,49%), ia rrëmbeu PDK-së edhe komunën e Klinës (Zenun Elezaj, 52,64).

Në këtë rund kjo parti fitoi edhe komunën  e Suharekës (Bali Muharremaj, 52,57%), Obiliqit (Xhafer Gashi, 60,60%), si dhe atë të Rahovecit (Smajl Latifi, 50,69%).

Me këtë rast AAK-ja arriti që të fitojë gjithsej shtatë komuna në nivel vendi (duke përfshirë këtu edhe ato të rundit të parë, Deçanin e Junikun).

Nga ana tjetër dy partitë e tjera, AKR-ja e Nisma, arritën të marrin vetëm nga një komunë në tërë Kosovën.

AKR-ja ia doli ta ruajë komunën e Mitrovicës së Jugut, në krye me Agim Bahtirin (55,33), duke lënë mbrapa kandidaten e PDK-së Valdete Idrizin.

Kurse, Nisma për Kosovën doli triumfuese në komunën e Malishevës, me kandidatin e saj Ragip Begajn, i cili arriti të marrë 55,81% të votave, duke lënë kështu mbrapa kandidatin e PDK-së Mursel Gashin.

Ndërkaq, pavarësisht tyre partia e themeluar së fundi “Alternativa” nuk arriti ta fitojë asnjë komunë të vetme.

Gjakova, e cila pretendohej të merrej nga ky subjekt (nën kandidaturën e Mimoza Kusari-Lilës) sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja shkoi te kandidati i AAK-së Ardian Gjini.

Kurse në komunën e Kllokotit fitoi Lista Serbe (Strahinja Spasiq, 50,24% të votave).

Pos kësaj Lista Serbe triumfoi edhe në Partesh, në të cilën u ripërsërit votimi (Dragan Petkoviq, 61,81%).

Image

Image

Image

 

 

Të rekomanduara