Premtimet miliardëshe të fushatës

Zgjedhjet lokale 2017 November 16, 2017 - 07:48

Buxheti i Kosovës vështirë se do t’i përballojë kërkesat buxhetore të komunave kryesore të Kosovës nëse do të realizohen premtimet e fushatës të disa kandidatëve për kryetarë. Tashmë premtimet për investime në nivel lokal kanë arritur vlera miliardëshe, ndonëse me të njëjtin avaz të premtimeve pritet të vazhdohet edhe në dy ditët e fundit të fushatës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shteti i Kosovës do të falimentojë nëse do të realizohen premtimet për investime vetëm të disa kandidatëve për kryetarë të komunave në vend.

Një vend, i cili e ka buxhetin vjetor prej 2 miliardë eurosh, në një komunë brenda një mandati katërvjeçar në fushatën e balotazhit premtohen mbi 1.2 miliard euro investime pa i përfshirë këtu edhe nevojat për investime e shpenzime edhe në 37 komuna të tjera, si dhe shpenzimet për institucionet e nivelit qendror, shkruan tutje "Zëri"

Pavarësisht se disa kandidatë për kryetarë komunash po ndërrohen përgjatë viteve, nuk po ndërron edhe strategjia e tyre për të ardhur deri në pushtet.

Përkundrazi, shumica e kandidatëve për kryetarë komunash po e vazhdojnë avazin e atyre të mëhershëm duke bërë gjatë fushatës elektorale premtime të paarritshme për t’u realizuar.

Ndonëse qe dy ditë ka nisur fushata për rundin e dytë, kandidatët kanë nisur me premtime marramendëse, duke tejkaluar për shumëfish buxhetin e komunave të tyre

Ndërkohë, edhe në rundin e parë kandidatët të cilët pritet të shkojnë në balotazh u zotuan për një sërë veprimesh, duke premtuar kështu investime, ndërtime stadiumesh e ndërtime autostradash (të cilat kushtojnë qindra-mija euro).

Ndërkaq, analistët politikë konsiderojnë se gjatë fushatave janë të pritshme premtimet e fryra, porse kandidatët duhet ta dinë se premtimet “astronomike” u kushtojnë atyre me dështim. Kurse ekspertët e fushës së ekonomisë vlerësojnë se zotimet e dhëna gjatë fushatës nuk kanë kosto për mbulesë, përkundrazi ato janë të pajustifikueshme.

Premtimet miliardëshe

Kandidati i LDK-së për Komunën e Prishtinës, Arban Abrashi, para se të zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve ka premtuar para qytetarëve se do të sjellë investime në vlerë prej 1.2 miliard eurosh në Prishtinë. “Të gjitha projektet shpijnë në një investim prej 1.2 miliard eurosh në këto vite. Do të kemi zhvillim ekonomik dhe numër të madh të punësimit. E para që synojmë në kuadër të zhvillimit ekonomik është që për themelimin e fondit të punësimit të ndajmë 4 milionë euro në 4 vjet, për ndarjen e granteve në ndërmarrësi, të përkrahim të rinjtë në startet e tyre, të bëjmë subvencionimin e pagave”, premtoi Abrashi.

Pos kësaj, para pak ditësh kreu i PDK-së Kadri Veseli premtoi qindra-mija euro për ndërtimin e stadiumeve në Kosovë.

Veseli në Kaçanik (ku në balotazh ka shkuar edhe kandidati i PDK-së Besim Ilazi në këtë komunë) tha se gjatë katër vjetëve të ardhshme do të investohen mbi 100 milionë euro për ndërtimin e stadiumeve moderne në Kosovë, ku pos tjerash edhe Stadiumi Olimpik i Kosovës për të cilin ai tha se do të ndërtohet në Drenas.

Ndërkohë, premtimet e tilla i vazhduan edhe kandidatët e tjerë të partive politike. Kandidati për kryetar të LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë fushatës për rundin e parë u zotua para qytetarëve se do ta finalizojë investimin më të madh në histori të Gjilanit (autostradën). “Tashmë buxheti për këto dhe për projekte të tjera është i siguruar. Një pjesë nga ana e Qeverisë, për të cilat unë do të jem gardian i mbrojtjes së këtyre mjeteve dhe një pjesë nga partnerët tanë nga Evropa e nga Amerika”, pati thënë Haziri.

Haxholli: Rritja e premtimeve nga kandidatët, e rrezikshme për garën e tyre

Mirëpo Fatmir Haxholli, njohës i çështjeve politike, ka thënë se premtimet e ekzagjeruara të kandidatëve për kryetarë komunash nuk mund të tolerohen nga publiku. Përkundrazi, sipas tij, pikërisht premtime të tilla mund të paraqesin rrezik për garën e tyre.

“Kur jemi te premtimet, kandidatët edhe mund të taktizojnë politikisht, por kjo është gjë e rrezikshme për garën e tyre sepse votuesi urban është votues kritik, i cili për efekt sharmi elektoral edhe mund të tolerojë ndonjë parabolë, por assesi nuk pajtohet me ekzagjerime dhe nëse qëllimi është bindja e të pavendosurve, atëherë kjo është diçka me dy tehe. Pra rritja e pritshmërive publike kundrejt kandidatëve edhe mund t’i shtyjë ata drejt rritjes së premtimeve, por kjo vepron ne dy kahe”, është shprehur Haxholli.

Kurse analisti politik, Krenar Shala, ka vlerësuar se qytetarët tashmë janë vetëdijesuar sa për t’i analizuar premtimet e kandidatëve. “Mendoj që tashmë qytetarët janë vetëdijesuar mjaftueshëm në mënyrë që të arrijnë t’i analizojnë qëndrimet dhe premtimet e kandidatëve të ndryshëm”, është shprehur ai. Ai më tej ka thënë se ata kandidatë të cilët japin premtime më të prekshme, ata edhe do të duken më të besueshëm. “Së këndejmi, ata kandidatë të cilët arrijnë të japin premtime në bazë të një analize të besueshme financiare, si dhe në bazë të arsyeshmërisë në raport me nevojat e domosdoshme të qytetarëve, ai kandidat do të shihet si më i besueshëm dhe me mundësi të mëdha për të fituar”, ka shtuar ai.

Limani: Premtimet para fushatës nuk kanë mbulesë ekonomike

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Limani, ka konsideruar se premtimet që po bëhen në kohë fushate janë marramendëse dhe pa mbulesë ekonomike. “Unë e kuptoj fushatën elektorale, qendrore e lokale se duhet të fryhen disa gjëra, por premtimet që ofrohen nga partitë e individët para zgjedhjeve janë marramendëse, të papranueshme, të pajustifikueshme dhe pa mbulesë. Për shembull, si t’i besojmë kandidatit të LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës i cili premton investime prej 1.2 miliard eurosh kur dihet se buxheti i Kosovës për vitin 2018 është paraparë të jetë 2.050 miliardë euro. Këto investime nuk mund të mbulohen as me buxhetin e Kosovës e lëre më me buxhetin e Komunës së Prishtinës, që është diku nën 100 milionë euro”, ka deklaruar ai.

Limani më tej ka thënë se të tilla premtime pa mbulesë ofrojnë shumica e kandidatëve për kryetarë komunash, porse kandidatët për të qenë bindës duhet të dalin me programe konkrete dhe me burime të sigurta të investimeve.

Rugova: Premtimet e rrejshme kthehen bumerang

Ndërkaq analisti politik, Arben Rugova, ka konsideruar se kandidatët duhet ta kuptojnë se premtimet e rrejshme janë ndëshkuese për ta. “Është fushatë dhe është e natyrshme që kandidatët të japin premtime elektorale se si do të mundë të duket Prishtina e qeverisur prej tyre pas katër vjetësh. Mirëpo është po ashtu shumë e rëndësishme që kandidatët ta kuptojnë se premtimet e rrejshme janë të dukshme dhe ndëshkuese (bumerang) në ditën e votimit”, ka deklaruar ai.

Rugova më tej ka thënë se qytetarët e Prishtinës presin projekte të kapshme, që plotësojnë nevojat e tyre elementare. Ndërkohë ka konsideruar se kandidatët për kryetarë komunash nuk duhet të tallen me qytetarët. “Në mungesë të projekteve kandidatët duhet të jenë të kujdesshëm, të mos tallen pasi që qytetarët e dinë mirë çka është dhe çka nuk është e realizueshme për katër apo për tetë vjet. E dinë që Prishtina nuk është metropol për metro, por as qytet ku kunjat duhet të shihen si kryevepër”, ka theksuar Rugova tutje.

 

 

 

 

 

 

Të rekomanduara