Bahtiri merret vesh me 9 nëndegë të LDK-së për mbështetje
Kandidati i AKR-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka arritur marrëveshje koalicioni me 9 nëndegë të LDK-së, të cilat u zotuan se do ta përkrahin fuqishëm në garën e balotazhit më 19 nëntor, bën të ditur AKR përmes një komunikate për media.
“Në marrëveshjen e koalicionit thuhet se AKR dhe nëndegët e LDK-së synim dhe qëllim primar e kanë fitoren e zgjedhjeve më 19 nëntor, duke e mbështetur Agim Bahtirin për kryetar komune. Kjo marrëveshje u arrit pa asnjë kushtëzim, por vetëm duke u bazuar në besim dhe vizion të përbashkët”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se, “ky vendim i nëndegëve të LDK-së vjen pas vendimit të kryesisë së LDK-së të marrë të dielën, ku edhe mediat kishin raportuar se nëndegët e kanë kundërshtuar fuqishëm”.
“Sonte me 9 nëndegët kryesore të LDK-së në Mitrovicë nënshkruam marrëveshje koalicioni, të cilat do më mbështesin fuqishëm më 19 nëntor në garën e balotazhit, ku do të arrijmë fitore madhështore. Unë kam thënë se gjithmonë do të jem me LDK-në e Ibrahim Rugovës dhe kjo u vërtetua edhe sonte. Pres që së shpejti të na bashkohen edhe nëndegë të tjera”, ka thënë Bahtiri.
Koalicion me Agim Bahtirin nënshkruan këto nëndegë të LDK-së:
1) Ilirida
2) Bairi
3) Ura e Gjakut
4) 2 Korriku
5) Kçiqi
6) Tuneli i parë dhe Zasella
7) Koshtova
8) Rashani, Mazhiqi dhe Tërstena
9) Bajgora