Balotazhi i burrave

Zgjedhjet lokale 2017 November 15, 2017 - 08:04

Vetëm dy kandidate femra janë në garë të balotazhit për kryetarë të komunave të Kosovës, përderisa në shtatëmbëdhjetë të tjera garojnë vetëm meshkujt.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen më 19 nëntor 2017, në garë për kryetare ka mbetur vetëm kandidatja e Alternativës për Komunën e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, si dhe kandidatja e PDK-së për Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ky numër minimal i grave në balotazh erdhi si pasojë e numrit të vogël të grave që partitë politike i kandiduan për kryetare komunash, respektivisht 7 nga 200 kandidatë.

LEXO EDHE: Ushtria e Kosovës në koordinim me NATO-n

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Mitrovicën, Valdete Idrizi, thotë se nuk e ka aspak të lehtë garën duke qenë se, siç thotë ajo, numri i grave në jetën politike është i vogël.

Ajo është shprehur e shqetësuar për gjuhën diskriminuese ndaj gjinisë femërore nga kundërkandidatët e tyre, shkruan tutje "Zëri".

“Nuk ka qenë e lehtë, sepse isha në garë me nëntë burra, por në të njëjtën kohë tash edhe kundërkandidati im në të shumtën e rasteve thotë se i duhet një zot shtëpie Mitrovicës dhe jo një zonjë. Kjo natyrisht që nuk më bën të ndihem mirë, sepse këtu po garojmë me vlera, me vizion e me përgatitje profesionale, me atë çka mund t’u ofrojmë qytetarëve dhe jo vetëm si grua apo burrë”, ka thënë ajo.

Idrizi thotë se është negative tendenca për minimizimin e rolit të gruas, duke qenë se 50% e popullatës janë gra.

“Kjo tendencë që të minimizohet edhe më tepër roli i gruas në shoqëri natyrisht që s’është e mirë as për mua dhe as për të gjithë shoqërinë, sepse 50% e popullatës janë gra”, tha më tutje ajo.

Në anën tjetër sociologu Genc Xërxa konsideron se shoqëria kosovare nuk po i respekton sa duhet të drejtat e barabarta në aspektin gjinor. Sipas tij, partitë politike e kanë “gojën plot” për barazi gjinore, mirëpo realisht respektimi i grave u pa në numrin e vogël të kandidateve femra për kryetare të komunave.

“Qasje e barabartë ndaj aspektit gjinor në përfaqësimin social apo publik asnjëherë nuk po bëhet në mënyrë të drejtë të reprezentimit. E gjitha mbetet në të shumtën e rasteve në të folur apo në të shkruar, asnjëherë nuk po veprohet në drejtimin e duhur për t’i jetësuar këto gjëra. Gojën ne si shoqëri e kemi plot për barazi gjinore, por në jetën reale po shihet se si kandidatura në nivelin e përfaqësimit politik lokal apo qendror, si më parë që pamë, ishin në numër të vogël, enorm apo gati pothuajse minimal”, ka thënë ai. 

Kurse Rreze Abdullahu, aktiviste e shoqërisë civile, ka thënë për “Zërin” se partitë politike në vendin tonë vazhdimisht po ua veshin grave epitetin e viktimave.

Ajo thotë se institucionet e partitë politike nuk e kanë respektuar ligjin për barazi gjinore.

“Në përgjithësi premtimet elektorale të partive konkurruese në këto zgjedhje janë patriarkale dhe assesi nuk i zhveshin gratë nga rolet e tyre tradicionale, siç është ai i nënës dhe i viktimës së dhunës në familje. Kjo e shpërfaq një mentalitet që ka probleme fundamentale si shoqëri në trajtimin e grave si qenie njerëzore dhe të barabarta me burrat”.

Sipas saj, praktika tregon se as Qeveria, as komunat e madje as strukturat udhëheqëse të partive politike në Kosovë nuk e kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, që urdhëron pjesëmarrjen e grave me 50% të tyre. 

 

Të rekomanduara