Limaj: Askush nuk mund ta ndalë fitoren bindëse të Nismës në Malishevë

Zgjedhjet lokale 2017 November 14, 2017 - 21:16

Nisma për Kosovën, dega në Malishevë ka vazhduar fushatën në kuadër të balotazhit, i cili do të mbahet më 19 nëntor.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj. Ky i fundit ka thënë se Nisma në Malishevë ka bashkuar njerëzit e komunës. Të gjithë kandidatët bashkë, Limaj thotë se nuk kanë marrë vota sa Ragip Begaj.

Fitorja e Nismës në Malishevë, Limaj thotë se do të vuloset më 19 nëntor.

“I ftoj të gjithë qytetarët e komunës së Malishevës që qytetarët që më 22 tetor kanë votuar ndonjë subjekt tjetër të bëhen bashkë dhe të votojnë për kandidatin e Nismës. Malisheva nuk ka pasur dilema se si duhet të rreshtohet. Kërkesa ime është të vazhdojmë më ndryshimin e filluar në vitin 2013”, ka thënë Limaj.

Tutje, ai ka thënë se më askush nuk mund të luajë me njerëzit e Malishevës. Malisheva, sipas tij, nuk do të diskriminohet nga askush.

“Nuk mund të vendoset asgjë në institucionet e Kosovës pa votën e përfaqësuesve të Malishevës. Malishevën do ta qeverisin njerëzit e Malishevës. Koha është për zhvillim. Të gjtihë ata që po duan të ndalin, ia bëjë me dije se zhvillimi nuk do të ndalet”, ka thënë Limaj

 Ragip Begaj kryetari aktual dhe pretendent për një mandat të ri në krye të Malishevës ka thënë se fshati Carrallugë gjithmonë ka ditur si të rreshtohet. Koncepti i Nismës, sipas tij, i duhet Malishevës. Ai ka premtuar siç ka qenë zëri i qytetarëve në katër vitet e kaluara ashtu do të jetë edhe në katër vitet në vazhdim.

“Për 4 katër vite janë kryer mbi 400 projekte. Janë ndërtuar 15 shkolla dhe shumë e shumë punë tjera të përfunduara. Me punë e projekte për të mirën e qytetarëve do të vazhdojmë edhe katër vitet e ardhshme”, ka thënë Begaj.

Tutje, ai ka thënë se në katër vitet në vazhdim do të qeverisë Nisma. Kandidatura e tij, Begaj thotë se po përkrahet edhe nga qytetarët e partive tjera të cilët nuk janë pjesë e balotazhit.

E, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se Ragip Begaj do të fitojë bindshëm në balotazhin e 19 nëntorit.

Ai ka thënë se të gjithë kryetaret e komunave i kanë për zili sukseset e Ragip Begajt. Qeveria, sipas tij, do ta përkrahe Malishevën dhe projektet nga kjo komunë.

E, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti ka thënë se vota e 22 tetorit kanë treguar qartë se kush do të jetë kryetar i komunës dhe për këtë, sipas tij, nuk ka asnjë dilemë. Hoti pret që më 19 nëntor, Begaj do të fitoj fuqishëm në garën për të parin e Malishevës.

Të rekomanduara