‘Vijat e kuqe’ shkelen në komuna

Zgjedhjet lokale 2017 November 13, 2017 - 13:33

Lëvizja “Vetëvendosje” e kritikon ashpër Qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, por me partinë e tij ka bërë koalicion para balotazhit në Kamenicë, njëjtë siç ka vepruar edhe me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Partia më e madhe parlamentare në vend është deklaruar se “vija të kuqe” për bashkëqeverisje në nivel lokal ka vetëm me PDK-në e Kadri Veselit, shkruan "Zëri".

Edhe LDK-ja ka vendosur të bashkëpunojë me AAK-në në Prishtinë, në mënyrë që kjo ta përkrahë kandidatin e saj Arban Abrashin ndonëse në Parlament partia e Isa Mustafës është pjesë e opozitës, etj.

LEXO EDHE: Armiq në Kuvend, partnerë në komuna

Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se disa koalicione për nivelin lokal i duken qesharake.

“Edhe unë isha duke qeshur me një koalicion që sapo pashë. Vërtet është e çuditshme. Njerëzit që merresh vesh mes vete nuk kanë kërkesa politike në një nivel tjetër. Interesat janë për të fituar pushtet, partitë janë të tilla që kombinojnë me parti të ndryshme. Akoma skena politike nuk është e ndarë në profile politike dhe si pasojë e saj tani edhe këto gjëra ndodhin”, ka thënë Haliti.

Pavarësisht se partia e tij, AKR-ja, ka vendosur ta përkrahë kandidatin e LDK-së në këtë Komunë Muharrem Sfarqën, ish-kandidati i AKR-së për kryetar, Amir Rexhepi, ka dalë kundër kësaj marrëveshjeje.

Rexhepi në një postim në rrjetin social “Facebook” ka deklaruar se ai së bashku me një asamblist tjetër nga kjo parti janë kundër marrëveshjes së nënshkruar nga kryetari i Degës së AKR-së në Ferizaj, Labinot Tahiri, me kryetarin aktual të Ferizajt Muharrem Svarqën.

Rexhepi ka thënë se marrëveshja e Tahirit me Svarqën e LDK-së ka qenë për konsum elektoral dhe për pazare politike.

Ish-kandidati për kryetar Komune në Ferizaj, nga radhët e AKR-së, Amir Rexhepi, tutje i ka ftuar votuesit e tij që të mos e mbështesin këtë koalicion.

Rasim Selmanaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se për bashkëpunimet e AAK-se në nivelin lokal më shumë vendosnin kandidatët për kryetarë të komunave dhe degët në komunat përkatëse.

“Mendoj që secila komunë i ka specifikat e veta dhe në këtë rast më shumë i është lënë në autonomi degëve dhe atyre që kanë qenë kandidatë për kryetarë se me kë e shohin ata të arsyeshëm të bashkëpunojnë. Kur dega e vlerëson që p.sh. në Prishtinë duhet të përkrahet një kandidat, atëherë mendoj që kjo është në rregull”, ka thënë Selmanaj. /ZËRI/

Të rekomanduara