Beteja për komunat e mëdha

Zgjedhjet lokale 2017 November 13, 2017 - 08:15

Zyrtarisht sot është hapur fushata zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 nëntor.

Partitë politike luftën dhe pazaret më të mëdha po i bëjnë në komunat e kryesore të vendit për të cilat kanë pritje të fitores.

LEXO EDHE: Armiq në Kuvend, partnerë në komuna

Partia më e madhe parlamentare në vend - lëvizja “Vetëvendosje”, e cila në katër vjetët e kaluara qeverisi vetëm me Prishtinën, tani po synon ta marrë Prizrenin e Gjilanin.

Zyrtarë nga ky subjekt politik kanë treguar për “Zërin” se janë të bindur që votat do t’i dyfishojnë në tri këto komuna.

Në anën tjetër, PDK-ja po synon të mbajë pushtetin në Prizren dhe t’ia rrëmbejë AKR-së Mitrovicën.

Nënkryetari i kësaj partie, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se janë mobilizuar që gjithsesi t’i marrin këto komuna.

Ndërkaq AAK-ja është e bindur që do ta fitojë Gjakovën.

Pal Lekaj, nga ky subjekt politik, thotë se Gjakova tashmë ka vendosur për katër vjetët e ardhshme.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike thonë se rundin e dytë të zgjedhjeve do ta fitojnë ato parti të cilat kanë koalicione më të forta.

Shpresat te balotazhi

Xhavit Haliti, nga PDK-ja, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se të gjithë janë duke u munduar dhe po angazhohen për t’i fituar ato komuna në të cilat janë në balotazh.

“Verdikti është në duart e atyre që votojnë, ata do ta përcaktojnë se kush do të jetë fitues. Ne i kemi etiketuar komunat në të cilat përafërsisht të sigurta që i kemi dhe kemi komuna për të cilat duhet të punohet prapë”, tha Haliti.

Ai me bindje të plotë thotë se nuk shpreson, por është i sigurt se partia e tij do të fitojë në shumicën prej komunave të mëdha, si dhe në komunat të cilat janë në balotazh.

Por ndryshe nuk mendon as nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, i cili në një përgjigje të shkurtër për “Zërin” ka thënë se nuk ka opsion tjetër pos fitores.

“LDK-ja do t’i fitojë 10 komuna në këto zgjedhje dhe nuk kemi opsion tjetër pos fitores”, tha Haziri.

E Pal Lekaj, nga radhët e AAK-së, thotë se qysh në rundin e parë kjo parti ka fituar Gjakovën.

“Sa i përket Gjakovës, Aleanca e ka marrë mbështetjen nga qytetarët për ta udhëhequr Gjakovën  për katër vjetët e ardhshme, de facto që në rundin e parë, po që demokracia e thotë se duhet arritur përqindjen 50,1 dhe këtë do ta konfirmojmë bashkë me qytetarët e Gjakovës më 19 nëntor”, tha Lekaj.

Sipas tij, Gjakova ka dëshmuar dhe ka treguar se nuk i toleron poeto-politikanët, siç i quan ai.

“Gjakova ka dëshmuar dhe ka treguar që nuk i toleron poeto-politikanët të cilët veprimet konkrete i kanë zëvendësuar me demagogji, që flasin për qeverisje direkte e jetojnë me kilometra larg saj, që mospunën e tyre tentojnë ta mbulojnë me sharje, shpifje e trillime për kundërshtarët politikë dhe qytetarët e Gjakovës. Gjakova do të bëjë zgjedhjen e vet, do ta ndërlidhë ndryshimin e filluar në nivel Kosove me ndryshimin që ka nevojë të bëhet dhe që do të bëhet në katër vjetët e ardhshme me Ardian Gjinin kryetar”, përfundoi Lekaj.

Ndërsa Belgzim Kamberi, përgjegjës për medie në lëvizjen “Vetëvendosje”, thotë se partia e tij është në prag të fitores.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ është në prag të fitores jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komunat e tjera ku është në balotazh. Në Prishtinë kemi rritje si në Kuvend Komunal, ashtu edhe në vota për kandidatin”, tha Kamberi.

Ai pohon se fitorja e tyre do të zyrtarizohet me mandatin e dytë për Shpend Ahmetin, kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës.

“Jemi ashtu fitues. Kjo do të zyrtarizohet me mandatin e dytë për z. Ahmetin më 19 nëntor dhe do ta kurorëzojë dyfishimin e LVV-së nëpër tërë komunat në këto zgjedhje. Analizat për rezultatin e përgjithshëm zgjedhor do t'i bëjmë në forumet përgjegjëse të LVV-së pas përfundimit të rrethit të dytë zgjedhor”, përfundoi Kamberi.

Beqaj: Në këto zgjedhje do të fitojë interesi

Por ndryshe nga të gjithë mendon analisti politik Behlul Beqaj, i cili thotë se bëhet fjalë për interesin.

“Nëse është në pyetje interesi, çdo gjë është e mundur. Pra do të thotë këtu nuk ka rregulla, rregulla është nuk ka rregulla, parimi është nuk ka parim, interesi dominon. Nëse lidhen interesat në mënyrë makiveliane, atëherë do të fitojë ajo parti e cila ka interes e jo ajo që ka bindje, ideologji, vlera etike, morale, programore ideologjike”, pohoi Beqaj.

Më tutje ai vazhdoi duke potencuar se nuk është prioritet bindja ideologjike e as programi, por interesi.

“Nëse është interesi prioritet, atëherë çdo gjë i nënshtrohet interesit, pra nuk është prioritet bindja ideologjike, nuk është programi, nuk është përcaktimi, orientimi që ka kjo apo ajo parti, por nëse lidhen në interes, atëherë do të fitojë ajo parti që ka interes dhe ka”, ka përfunduar Beqaj.

Nga 38 komuna sa i ka vendi këto janë komunat që shkojnë në balotazh:

Prishtinë – Shpend Ahmeti (“Vetëvendosje”) dhe Arban Abrashi (LDK), Gjakovë – Ardian Gjini (AAK) dhe Mimoza Kusari-Lila (Alternativa), Gjilan – Lutfi Haziri (LDK) dhe Sami Kurteshi (“Vetëvendosje”), Mitrovica e Jugut – Valdete Idrizi (PDK) dhe Agim Bahtiri (AKR), Prizren – Shaqir Totaj (PDK) dhe Mytaher Haskuka (“Vetëvendosje”), Ferizaj – Agim Aliu (PDK) dhe Muharrem Svarqa (LDK), Istog – Haki Rugova (LDK) dhe Gani Dreshaj (AAK), Obiliq – Xhafer Gashi (AAK) dhe Mehmet Krasniqi (LDK), Podujevë – Agim Veliu (LDK) dhe Ajet Potera (“Vetëvendosje”), Klinë – Sokol Bashota (PDK) dhe Zenun Elezaj (AAK), Kaçanik – Besim Ilazi (PDK) dhe Basri Kodra (“Vetëvendosje”), Rahovec – Smajl Latifi (AAK) dhe Idriz Vehapi (PDK), Shtime – Naim Ismajli (PDK) dhe Fatmir Rashiti, Suharekë – Bali Muharremaj (AAK) dhe Sali Asllanaj (LDK), Vushtrri – Ferit Idrizi (PDK) dhe Xhafer Tahiri (LDK) ose Besim Muzaqi (“Vetëvendosje”), Malishevë – Ragip Begaj (Nisma) dhe Mursel Gashi (PDK), Kllokot – Strahinaj Spasiq (Lista Serbe) dhe Bozidar Dejanoviq ( Klokot Vrbovac), Dragash – Selim Kryeziu (LDK) dhe Shaban Shabani (PDK), Kamenicë – Qëndron Kastrati (“Vetëvendosje”) dhe Shaip Surdulli (LDK).

Të rekomanduara