Koalicionet për balotazh

Zgjedhjet lokale 2017 November 08, 2017 - 08:30

Meqë rezultati i 22 tetorit shumicën e komunave në vend i çoi në balotazh, subjektet politike që do të garojnë në rundin e dytë (19 nëntor) tashmë kanë nisur të lidhin koalicione me partitë e tjera politike, shkruan sot, gazeta Zeri.

PDK-ja tashmë ka bërë të ditur se në Komunën e Vushtrrisë ka lidhur koalicion me AAK-në, LB-në e PD-në, si dhe është thuajse në finalizim të një koalicioni me Nismën për Kosovën. Ndërkohë, edhe “Alternativa” në Gjakovë ka njoftuar se do ta vazhdojë bashkëpunimin e saj me LDK-në e LVV-në.

Megjithëkëtë, disa prej kandidatëve janë deklaruar se do të garojnë të vetëm edhe për të dytën herë. I tillë është Lutfi Haziri (Gjilan), i cili ka thënë se nuk do të bëjë pazare me asnjë subjekt politik.

LEXO EDHE: Benes: Specialja nuk ndikohet nga politika

E ndonëse kandidatët që kanë kaluar sfidën e parë janë shprehur të bindur në fitore, njohësit e çështjeve politike kanë konsideruar se rezultati pas balotazhit mund të jetë krejtësisht i befasishëm. Ndërkohë, sa u përket koalicioneve parazgjedhore, ata kanë konsideruar se në momentet e fundit partitë politike mund të formojnë koalicione aspak të natyrshme.

Haziri, i vetëm në balotazh

Lutfi Haziri, kandidat i LDK-së në Gjilan (i cili në rundin e parë u radhit me më së shumti vota), ka bërë të ditur se nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik për rundin e dytë. “Nuk kam koalicion me asnjë parti politike dhe nuk do të bëj pazare me askënd sa i përket balotazhit më 19 nëntor.  Më 22 tetor kam pasur mbështetje përtej LDK-së sepse ka qenë kërkesë e qytetarëve që unë të rikandidoj. Kanë qenë votues të shumë partive dhe kanë qenë votues pa parti e qytetarë që kanë filluar të besojnë në programin që unë e kam ofruar në katër vjetët e kaluara”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Haziri, i cili si kundërkandidat në balotazh ka Sami Kurteshin e LVV-së, është shprehur i bindur se do ta fitojë sërish këtë komunë, pavarësisht se ka shkuar në balotazh. 

Nga ana tjetër, ani pse në Komunën e Prishtinës në rundin e dytë do të kandidojnë Shpend Ahmeti i LVV-së dhe Arban Abrashi i LDK-së, ende nuk është bërë zyrtar ndonjë koalicion në këtë komunë. Megjithëkëtë, Arbër Vllahiu (i cili pati kandidauar nga AAK-ja për komunën e Prishtinës), ka thënë se ky subjekt është në bisedime me përfaqësuesit e të dyja partive, porse ende s’është vendosur për ndonjë marrëveshje.

“Kemi zhvilluar takimet dhe bisedimet edhe me LVV-në, edhe me LDK-në për çështjen e balotazhit. Bisedimet nuk kanë përfunduar dhe ato do të zhvillohen edhe më tej. Nuk ka ende një marrëveshje me asnjërën palë, por besojmë se së shpejti do të arrijmë një pajtim për balotazhin pasi të jenë analizuar ofertat dhe rrethanat politike”, është shprehur Vllahiu.

Kusari-Lila: Jemi dakorduar me LDK-në e me LVV-në

Pavarësisht këtyre kandidatja e Alternativës për Komunën e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është dakorduar me LDK-në dhe me LVV-në për ta vazhduar bashkëpunimin në këtë komunë. Porse një marrëveshje finale, sipas saj, pritet të saktësohet në ditët e ardhshme. “Jemi dakorduar në bisedë që të vazhdojmë bashkëpunimin me LDK-në dhe me ‘Vetëvendosjen’ dhe po presim diçka ndoshta më konkrete. Definimi i marrëveshjes si marrëveshje për qeverisje pas 19 nëntorit mbetet në ditët në vijim”, ka deklaruar ajo për “Zërin”, duke u shprehur e bindur në fitore.

Kusari-Lila si kundërkandidat do ta ketë Ardian Gjinin e AAK-së (i pari sipas rundit të parë).

Nga ana tjetër Shaqir Totaj, kandidat i PDK-së në Komunën e Prizrenit, ka thënë se është në bisedime me të gjitha partitë përpos LVV-së, me të cilën do të përballet në rundin e dytë të zgjedhjeve. “Jemi në bisedime me të gjitha partitë, përveç asaj që jemi në balotazh me ta. Bisedimet janë pozitive. Ne s’kemi limite sa i përket bashkëpunimit me asnjë parti tjetër. Nuk kemi konkretisht asnjë marrëveshje, por kemi bisedime konstruktive. Kështu që, pres brenda dy-tri ditëve të kemi ndonjë marrëveshje”, është shprehur Totaj, i cili do të ballafaqohet me kandidatin e LVV-së, Mytaher Haskuka (i dyti sipas rundit të parë).

Kurse Ajet Potera, kandidat i lëvizjes “Vetëvendosje” në Komunën e Podujevës (i ranguar i dyti), ka thënë se LVV-ja është në bisedime me të gjitha partitë politike. “Ne jemi duke biseduar shumë seriozisht me të gjitha subjektet politike. Jemi duke i takuar edhe të subjektit politik të LDK-së, asamblistë ose qytetarë të ndryshëm që besojnë te ndryshimi”, ka deklaruar ai. Potera më tej (i cili më 19 nëntor do të përballet me Agim Veliun e LDK-së) është shprehur i bindur se do të sjellë ndryshime në këtë komunë po që se vjen në krye të saj. 

PDK-ja në Vushtrri koalicion me AAK-në, LB-në e PD-në

Pavarësisht atyre që ende nuk kanë vendosur se me kë do të lidhin koalicion, Ferit Idrizi, kandidat i PDK-së për Komunën e Vushtrrisë, ka bërë të ditur se tashmë ka arritur marrëveshje me AAK-në, me LB-në dhe me PD-në. “Kemi bërë koalicion me AAK-në, me Lëvizjen për Bashkim dhe Partinë e Drejtësisë. Po ashtu kemi mbështetjen edhe të një pjese të mirë të shoqërisë civile, edhe të partisë turke edhe pse ata nuk kanë arritur ta marrin ndonjë ulëse në Kuvend”, është shprehur Idrizi për “Zërin” (i pari sipas rundin të parë), i cili në balotazh do të ndeshet me Xhafer Tahirin e LDK-së.

Idrizi më tej ka thënë se PDK-ja është në bisedime edhe me AKR-në e me Nismën, me të cilat pret së shpejti arritje të marrëveshjes.

Kurse Haki Rugova, kandidat i LDK-së për Komunën e Istogut (i pari sipas rundit të parë), ka thënë se ky subjekt nuk ka ndonjë marrëveshje ende. “Nuk kemi ndonjë marrëveshje, disa biseda po bëhen natyrisht, Të shohim tash edhe interesimin e subjekteve të tjera se a kanë interes që në balotazh të jemi së bashku. Jam i hapur për biseda të tilla”, është shprehur ai, i cili në balotazh do ta ketë përballë Gani Dreshajn e AAK-së.

Emini: Koalicionet jo të natyrshme nuk japin rezultate të mira

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i institutit “Demokracia për Zhvillim” (D4D), ka konsideruar se partitë politike do të lidhin koalicione jo të zakonshme në çastet e fundit.

“Ajo çka pritet para rundit të dytë është krijimi i koalicioneve jo të zakonshme, në momentet e fundit, pavarësisht vullnetit të mbështetësve të tyre e më shumë për interesa partiake. Çdo marrëveshje e arritur mund të mos rezultojë me qeverisje të mirëfilltë për shkak të dallimeve të programeve, por edhe të mospajtimeve dhe akuzave gjatë fushatës para raundit të parë”, ka thënë ai. Kurse sa u përket rezultateve, sipas Eminit, është e pritshme që në disa komuna të fitojnë ata kandidatë që kanë dalë të parët në rundin e parë, porse mund të ketë edhe befasi pas rezultatit të 19 nëntorit.

 

 

Të rekomanduara