Ja kur dalin rezultatet e përfundimtare të zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale 2017 November 07, 2017 - 08:01

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë kësaj jave do t’i shpallë rezultatet përfundimtare për kuvendet komunale në vend, gati tri javë pas votimeve të 22 tetorit të këtij viti, shkruan sot, gazeta Zeri

Ky institucion javën e kaluar ka shpallur rezultatet përfundimtare për kryetarë, ku sipas rezultateve të zgjedhjeve të tetorit, në gjysmën e komunave sërish më 19 nëntor do të ketë garë të balotazhit për kryetarë, pasi që kandidatët nuk kanë fituar më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme të qytetarëve.

“Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur dhe ka certifikuar rezultatet për 37 komuna. Këto rezultate kanë të bëjnë me zgjedhjet për kryetarë të komunave. Ndërkaq rezultatet përfundimtare për kuvende komunale pritet të shpallen gjatë kësaj jave nga ana e KQZ-së”, ka thënë për “Zërin” Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

LEXO EDHE: Shpenzohen 7.2 milionë euro për vetura luksoze, s'ka buxhet për autoambulanca!

Vonesën në shpalljen e rezultateve përfundimtare Elezi e ka arsyetuar me rinumërimin e 700 kutive të votimit, 70 për qind e të cilave deri më tani janë rinumëruar.

“Aktualisht është duke vazhduar procesi i rinumërimit të kutive të votimit për të cilat pati vendosur KQZ-ja. Deri më tani janë rinumëruar rreth 70% e kutive nga rreth 700 sa kanë qenë gjithsej. Arsyet e rinumërimit janë sepse gjatë pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor në QNR këto kuti votimi nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta. Në pjesën më të madhe të rasteve kandidati/ja kanë më shumë vota sesa subjekti politik, prandaj është dashur të rinumërohen në mënyrë që të dihet gjendja reale”, ka sqaruar Elezi.

Ndërsa Betim Gjoshi, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në KQZ, ka thënë për “Zërin” se KQZ-ja nuk është vonuar aspak me shpalljen e rezultateve për kuvendet komunale.

“Qytetarët e Kosovës e dinë se cila parti sa ka fituar. Ndërsa sa i përket Kuvendit Komunal parashihen këto afate dhe procedura. Me ligjin aktual besoj që në afat rekord do të shpallen rezultatet përfundimtare”, ka thënë ai, duke shtuar se në zgjedhjet e vitit 2007 rezultatet përfundimtare ishin shpallur pas dy muajsh.

Në anën tjetër Adnan Rrustemi, përfaqësues i lëvizjes “Vetëvendosje” në KQZ, e thotë të kundërtën. Sipas tij, KQZ-ja po vonohet për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Ai ka shtuar se një pjesë të madh të fajit e ka kompania e angazhuar për funksionimin e sistemit të raportimit online.

“Sistemi që Kosova ka për raportimin e rezultateve dhe për shpalljen e tyre duke qenë i centralizuar në nivel të QNR-së, sistemi e favorizon vonesën, në anën tjetër natyrisht që KQZ-ja është vonuar jo vetëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare, por edhe për shpalljen e rezultateve preliminare dhe kjo është natyrisht e pajustifikueshme”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka shtuar se KQZ-ja duhet të ketë parasysh që për zgjedhjet e ardhshme të jetë shumë më efikase dhe qysh në natën e zgjedhjeve t’i bëjë publike rezultatet preliminare.

Ndërsa Arben Rugova, gazetar, vlerëson se vonesa në shpalljen e rezultateve përfundimtare e ka zbehur imazhin e mirë të krijuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Ai thotë se KQZ-ja deri më tani ka pasur mjaft kohë për t’i shpallur rezultatet.

“Mosshpallja e rezultateve përfundimtare për asambletë komunale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zbehur paksa imazhin e mirë të krijuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit. Dy javë kohë do të duhej të ishin të mjaftueshme për t’i shqyrtuar ankesat eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe eventualisht edhe në Gjykatën Supreme”, ka thënë ai.

Ai tha se vlerësimet e mira që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë nga institucionet ndërkombëtare për organizimin dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve duhej të ishin shtytje që gjithmonë të bëhet të përparohet në këtë drejtim.

Të rekomanduara