Pacolli vendos kushte për Ahmetin e Abrashin

Zgjedhjet lokale 2017 October 25, 2017 - 23:27

Garë e fortë për udhëheqje parashihet të zhvillohet në kryeqytet në mes dy kandidatëve Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi.

Ish- kandidati i AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli thotë se nuk ka preferenca për asnjërin kandidat.

Pacolli thotë se ka preferenca vetëm ndaj programit të tij zgjedhor.

"Unë nuk kam preferenca as ndaj Abrashit as ndaj Ahmetit, faktikisht unë kam preferenca vetëm ndaj programit tim zgjedhor. Programi jem mendojë se është alternativa më e mirë për kryeqytetin tonë, dhe unë këtu e shoh çelësin e bisedimeve të mëtutjeshme", ka thënë Pacolli në një bisedë për Indeksonline.

Sipas tij, janë subjekti politik ata që duhet t'i zhvillojnë bisedat për bashkëqeverisje me cilëndo parti që duan ta mbështesin në të ardhmen.

"Mendojë se janë subjekti politik ata duhet t'i zhvillojnë bisedat për bashkëqeverisje, mbështetje në të ardhmen. Unë nuk përzihem në këto çështje, se unë kam qenë vetëm kandidat i partisë, unë nuk jam as anëtarë i partisë, as nuk jam pjesë e strukturave partiake. Eventualisht nëse vjen deri aty unë do të jem pjesë e pashmangshme e bisedimeve me partinë. Unë mundem me qenë pjesë e atyre bisedimeve vetëm me e mbrojt programin tim, këtu do të insistojë", ka theksuar ai.

Pacolli konsideron se nëse kandidatët në fjalë e mbështesin programin e tij, atëherë duhet bërë kontratë për marrëveshje.

"Mirëpo janë disa pika kruciale të cilat programet e kolegëve nuk i kanë. Nëse e pranojnë programin tim, atëherë duhet të bëjmë kontratë, që ky program, kjo pikë fillon implementimin dhe kështu do të shkojmë përpara. Unë nuk jam njeri i kafiterive që ulem e pi një kafe. Me mu duhet në mënyrë precize dhe në mënyrë ligjore çdo gjë ka me u bo kontratë, ka me u bo marrëveshje, përgjegjësi edhe me fillu implementimin", ka thënë ai më tutje.

Ndryshe, bazuar në të dhënat e deritanishme të KQZ-së, Pacolli në zgjedhjet e 22 tetorit ka arritur të sigurojë 10.23% të votave të qytetarëve.

Të rekomanduara