Sa u votuan gratë kandidate më 22 tetor ?

Zgjedhjet lokale 2017 October 25, 2017 - 18:06

Dy nga tetë gratë e kandiduara në nivel vendi në zgjedhje lokale për kryetare të komunave arritën që të kalojnë në raund të dytë të zgjedhjeve, ndërkaq asnjë nga to nuk fitoi në raundin e parë.

Dy nga tetë gratë e kandiduara në nivel vendi në zgjedhje lokale për kryetare të komunave arritën që të kalojnë në raund të dytë të zgjedhjeve, ndërkaq asnjë nga to nuk fitoi në raundin e parë.

Megjithëse në numër të vogël të kandidimit, gratë në zgjedhjet lokale të vitit 2017 arritën që të merrnin numër të konsiderueshëm të votave në disa komuna.

Nga 204 kandidatë sa kandiduan për udhëheqjen e 38 komunave të Kosovës, vetëm 8 prej tyre ishin gra.

Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli rezultatet preliminare nëpër komuna dhe nga to doli që gruaja më e votuar në proporcion me numrin e votuesve në mesin e grave është Mimoza Kusari- Lila.

KALLXO.com ka renditur më poshtë gratë kandidate sipas rezultateve nga numri më i lartë i votave tek më i ulëti.

Mimoza Kusari Lila, Alternativa- Gjakovë

Image

Ish- Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, garoi për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kësaj radhe në kuadër të partisë Alternativa meqë u largua nga Aleanca Kosova e Re.

Kjo kandidatë, në këto zgjedhje mori 13 mijë e 434 vota, përkatësisht 32,04 përqind të votave totale në Gjakovë.

Këto rezultate shënuan ulje në krahasim me ato të vitit 2013 kur kishte afërsisht 8 mijë vota më shumë.

Megjithatë, nëse krahasohet me kandidatin e AKR-së në këto zgjedhje, Edmond Dushi, Kusari-Lila e tejkalon me 13 mijë vota, pasiqë në zgjedhjet e 22 tetorit, Dushi mori vetëm 431 vota apo 1,03 përqind të votave totale në Gjakovë.

Kusari-Lila nuk arriti fitore në raundin e parë dhe më 19 nëntor të pritet që të përballet në balotazh me Ardian Gjinin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Valdete Idrizi, PDK- Mitrovicë

Image

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Mitrovicës është kandidatja me më së shumti vota në këtë komunë.

Idrizi sipas rezultateve të KQZ-së në zgjedhjet e 22 tetorit, mori 9 mijë e 13 vota, përkatësisht 29,63 përqind të totalit të votave në Mitrovicë.

Idrizi, që kandidoi për herë të parë, arriti që me votat e saj ta çojë PDK-në në raundin e dytë të zgjedhjeve ku do të përballet me Agim Bahtirin, ish-Kryetar i Mitrovicës i cili në këto zgjedhje mori më pak vota se Idrizi.

Mirëpo, ajo nuk arriti ta tejkalojë me vota bashkëpartiakun e saj të kandiduar në zgjedhjet e kaluara, Avni Kastratin i cili kishte mbi 3 mijë vota më shumë  në 2013-tën se Idrizi në këto zgjedhje.

Kastrati kishte marrë 12 mijë e 609 vota, përkatësisht 42,60 përqind të votave të përgjithshme.

Sabiha Shala, PDK- Pejë

Image

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Pejës nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për fitore apo kalim në raundin e dytë zgjedhor.

Shala, sipas KQZ-së, në zgjedhjet e 22 tetorit fitoi 3 mijë e 977 vota, përkatësisht 9,28 përqind të votave të përgjithshme.

Ajo në këto zgjedhje  kandidoi kundër pesë burrave dhe një gruaje, ndërkaq fitues i kësaj komunë doli Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike të Kosovës me mbi 50 përqind të votave.

Në krahasim me Muhamet Halitajn, i kandiduar nga PDK në zgjedhjet e vitit 2013, Shala ka rreth 2 mijë e 400 vota më pak.

Halitajn në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 6 mijë e 392 vota, përkatësisht 15,23 përqind të totalit.

Emilida Redzepi, NDS- Prizren

Image

E kandiduar nga ‘Nova Demokratska Stranka’, një parti e përfaqësimit të komunitetit boshnjak, Emilija Redzepi,  po ashtu nuk arriti t’i sillte fitore kësaj partie në Prizren.

Në zgjedhjet e mbajtura të dielën, Redzepi grumbulloi 2 mijë e 932 vota, apo 4,75 të votave të përgjithshme.

Redzepi kandidoi përballë nëntë burrave për të marrë ulësen e Kryetares të Prizrenit, ndërkaq në balotazh për këtë komunë shkuan Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Hatim Baxhaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

NDS nuk kishte kandiduar në këtë komunë në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Gonxhe Çaushi, PDK- Mitrovicë e Veriut

Image

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për Mitrovicën e Veriut humbi në këtë komunë me një përqindje shumë të vogël të votave.

Çaushi, në kandidimin e saj në një komunë me shumicë serbe, arriti të marrë 738 vota, përkatësisht 9, 58 përqind të votave totale.

Në këto zgjedhje, ajo kandidoi  përballë tre burrave, dy nga ta pjesëtarë të partive të komunitetit jo shumicë.

Fitore në këtë komunë shënoi Goran Rakiq nga Lista Serbe me 66 përqind të votave.

Arta Ahmeti-Gjylani, AAK- Drenas

Image

Kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Komunën e Drenasit pësoi humbje të thellë në këtë komunë.

Sipas KQZ-së, Ahmeti- Gjylani arriti të marrë 564 vota apo 2,43 përqind të totalit të votave në Drenas.

Në këtë garë, ajo u përball me shtatë burra kundër kandidat, ndërsa fitore në këtë komunë shënoi Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës me afro 60 përqind të votave.

Ahmeti-Gjylani grumbulloi numër më të vogël të votave se bashkë partiaku i saj, Shaban Hasi i kandiduar nga koalicioni AAK-LDD në zgjedhjet e vitit 2013, i cili mori 926 vota, përkatësisht 4,01 përqind të votave të përgjithshme.

Hyrijete Isufi, LDK- Hani i Elezit

Image

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishte në garë për një ndër komunat më të vogla të Kosovës, arriti po ashtu numër të vogël të votave.

Isufi grumbulloi 374 vota, përkatësisht 7,59 përqind të votave totale.

Ajo kandidoi kundër dy burrave, një prej tyre kandidati i pavarur, Rufki Suma i cili fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Ndryshe nga shembujt e mësipërm, Isufi tejkaloi për nga numri i votave, bashke partiakun e saj në zgjedhjet e vitit 2013, Zylbear Hasallari i cili kishte marrë 358 vota, gjegjësisht 6,84 përqind të votave totale.

Eneida Kelmendi, Fjala- Pejë

Image

Përveç se është kandidatja grua më pak e votuar, ka edhe numrin ndër më të vogël të votave në nivel të përgjithshëm.

Eneida Kelmendi, kandidatja e partisë Fjala për Komunën e Pejës në zgjedhjet e së dielës grumbulloi 221 vota , përkatësisht 0,52 përqind të votave totale.

Kelmendi kandidoi kundër pesë burrave dhe një gruaje në këtë garë , ndërkaq fitore shënoi Gazmend Muhaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 50 përqind të votave.

Partia Fjala nuk ka pasur kandidaturë për Komunën e Pejës në vitin 2013./Kallxo.com

 

Të rekomanduara