Tali: Lëvizja Vetëvendosje të merret seriozisht me rezultatin e zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale 2017 October 23, 2017 - 13:46

Rezultati i zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje pësoi rënie në nivel të përgjithshëm të votave krahasuar me zgjedhjet e parakohshme nacionale të mbajtura me 11 qershor të këtij viti, duhet të analizohen seriozisht, sipas zyrtarit të kësaj partie, Driton Talit, raporton zëri.info.

Ish-deputeti i Aleancës Kosova e Re, Driton Tali, i cili është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në majin e këtij viti, e ka parë me shqetësim tkurrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në disa komuna ku vetëm para pak muajsh udhëhiqte me numër votash.

‘Tashti udhëheqësia e LVV duhet të merret seriozisht me rezultatin e zgjedhjeve. Si është e mundur që për tre muaj nga partia numër një të dali e treta. Pse në të gjitha ato komuna që ishte e para, diku doli e treta e diku edhe më keq”, ka shkruar Tali në profilin e tij në Facebook.

Dy komunat në të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënie më të theksuar në krahasim me zgjedhjet e nacionale janë Gjilani dhe Mitrovica, dhe sipas Talit duhet shikuar se çfarë është vepruar keq në këto dy qytete, raporton zëri.info.

Lëvizja  Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nuk ka fituar pa balotazh në asnjë komunë, dhe ka rënë në pozitën e tretë si fuqi politike në vend, duke u renditur pas LDK-së dhe PDK-së.

Në Gjilan, Lutfi Haziri, është renditur i pari dhe do të jetë në balotazh me Sami Kurteshin e VV-së, ndërsa në Mitrovicë kandidatja e PDK-së Valdete Idrizi ka arritur të fitojë dhe të jetë në balotazh me Agim Bahtirin e AKR-së, ndërsa  Fehmi Ferati nga Lëvizja Vetëvendosje është renditur i katërti pas Safet Kamberit të  LDK-së, raporton zëri.info.

Të rekomanduara