Kryeziu: Sikur në qershor, LDK-ja do të dalë sërish e para në Dragash

Zgjedhjet lokale 2017 October 19, 2017 - 17:27

Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Selim Kryeziu, ka thënë të enjten në një tubim me qytetarë të kësaj komune, se ngjashëm me zgjedhjet e qershorit, edhe të dielën LDK-ja do të dalë partia e parë në Dragash.

“Sot nuk do të shpalos programin tim, sepse e kam shpalosur në çdo pjesë të komunës, çdo fshat e lagje. Amerikanët e kanë një ditë të mirë që e quajnë Dita e Falënderimeve dhe ndoshta është mirë që edhe ne ta kemi një ditë të tillë, vetëm për të falënderuar gjithë banorët e Dragashit për mbështetjen që i kanë dhënë programit tonë për qeverisjen në katër vitet e ardhshme”.

“Është koha e fundit që LDK-ja të kthehet në pushtet në Dragash dhe në tërë Kosovën. Ne kemi përkrahje të madhe qytetare, por më 22 tetor duhet të kemi kujdes nga hajdutëritë, sepse ata e kanë zakon të parë. Pres që të dielën të festojmë së bashku”, ka thënë në fund Kryeziu.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se qysh sot mund ta shpallin fitoren në Dragash, njofton Klan Kosova,

“Selim Kryeziu është dashur që shumë më herët të jetë kryetar i Dragashit. Besoj fuqishëm se gjithçka do të përfundojë më 22 tetor dhe ne do ta kemi Selimin kryetar të kësaj komune, qysh në raundin e parë pa balotazh”.

“Në Dragash puna duhet të fillojë më 22 tetor. LDK është e interesuar t’i kontribuojë zhvillimit të kësaj komune. Askush sikurse LDK e drejtuar nga Ibrahim Rugova nuk ka ditur të përmbushë kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Askush më mirë se LDK-ja e sotme nuk di të përmbushë kërkesën e qytetarëve të Kosovës për zhvillim dhe integrim”, ka thënë Mustafa.

Këto synime, sipas Mustafës, për qytetarët e Dragashit i realizon Selim Kryeziu, dhe për komunat tjera kandidatët tjerë të LDK-së në të gjitha komunat e Kosovës.

Të rekomanduara