Nisma Drenas: Lladrovci po ushtron presion ndaj punonjësve të komunës e mësimdhënësve

Zgjedhjet lokale 2017 October 19, 2017 - 15:59

Nisma për Kosovën dega në Drenas, ka reaguar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, ku kjo e fundit pikërisht sot ka mbajtur në këtë komunë, takimin përmbyllës elektoral në kuadër të fushatës së zgjedhjeve të 22 tetorit.

Ky subjekt partiak në reagimin e saj hedh akuza ndaj Kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcin, se po ushtron presion direkt mbi punonjësit e komunës dhe mësimdhënësve, transmeton Klan Kosova.

Këto akuza të Nismas iu referohen tubimit të sotëm elektoral të PDK-së, teksa në komunikatën e saj të shoqëruar me disa fotografi, Nisma deklaron se gjatë kohës së paraparë kur do të mbahej ky takim i PDK-së prej orës 12.30 e tutje është vërejt mungesa e punonjësve të administratës komunale.

”Nëpërmjet të kësaj komunikate denoncojmë presionin e paparë i cili po iu bëhet të gjithë punonjësve në institucionet publike në Drenas e veçmas në arsim dhe administratë komunale. Sot gjatë kohës së paraparë kur do të mbahej tubimi elektoral të PDK-së prej orës 12.30 e tutje është vërejt mungesa e punonjësve të administratës komunale në vendet e tyre të punës” shkruan në komunikatë.

Po ashtu në reagim raportohet se është vërejtur dhe mungesa e mësimdhënësve në shkolla, të cilët sipas tyre për shkak të presionit dhe kërcënimeve me largime nga puna janë detyruar të marrin pjesë në këtë tubim elektoral duke thyer ligjin me mungesën e tyre në vendet e punës.

”Përveç kësaj disa nga nxënësit të cilët nuk e kanë mbajt orën e fundit të mësimit për shkak të mungesës së mësimdhënësve kanë marr pjesë edhe në tubimin zgjedhor”, thuhet tutje në komunikatë, transmeton Klan Kosova.

Të rekomanduara