Policia organizohet për zgjedhjet e 22 tetorit

Zgjedhjet lokale 2017 October 19, 2017 - 15:13

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka mbajtur në një takim me zëvendësdrejtorët e Policisë, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale dhe komandantët e stacioneve policore lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.

Drejtori Maxhuni ndër të tjera tha se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.

Maxhuni kërkoi nga të gjithë eprorët e lartë policorë që të gjitha detyrat dhe plani policor për zgjedhjet të realizohet me profesionalizim dhe me përkushtim të lartë, të paanshëm, etik dhe të gatshëm për të përmbushur misionin dhe vizionin e PK-së.

Në takim u diskutua se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor sipas planifikimeve me urdhër operativ do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe njoftimin e të gjithë zyrtarëve policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

“Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj. Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

Të rekomanduara