Diaspora sërish anashkalohet në zgjedhje

Zgjedhjet lokale 2017 October 19, 2017 - 08:03

Nga rreth 400 mijë kosovarë sa vlerësohet që jetojnë në diasporë, vetëm 10 mijë prej tyre kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 22 tetorit. Vlerësohet se diaspora kosovare po anashkalohet në të gjitha proceset zgjedhore, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Arbesa Ibrahimi/ Prishtinë

Ndonëse sipas regjistrimeve të fundit rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në diasporë, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit pritet të votojnë vetëm rreth 10 mijë prej tyre.

Kështu ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), zyrtarë të së cilit kanë thënë se rreth 1 mijë aplikacione të ardhura nga jashtë janë shpallur të pavlefshme, shkruan tutje "Zëri".

Mirëpo, përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës konsiderojnë se ky numër është tejet i vogël, duke i krahasuar me mërgimtarët që nuk jetojnë në Kosovë.

LEXO EDHE: Promovime milionëshe në rrjete sociale për fushatë

Sipas tyre,  për ta rritur numrin e votuesve të diasporës duhet fillimisht të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet në mënyrë që diasporës t’i mundësohet të votojë nëpër konsullata nëpër vendet ku jetojnë e jo të merren me një “duzinë” aplikacionesh e rregullash.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e diasporës thonë se numri i vogël i votuesve nga atje ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit të institucioneve në Kosovë.

Ndërkaq analistët politikë thonë se votuesit mërgimtarë janë lënë krejtësisht anash.

Elezi: 10 mijë aplikacione janë aprovuar, 1 mijë janë refuzuar

Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë për “Zërin” se qytetarët me të drejtë vote që jetojnë në diasporë kanë pasur rreth 40 ditë kohë që të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

E ndonëse kanë aplikuar rreth 11 mijë qytetarë, Elezi ka treguar se janë pranuar vetëm 10 mijë aplikacione prej tyre.

“Deri në ditën e fundit të afatit të kësaj periudhe, 23 gusht 2017, kemi pranuar 11 mijë e 813 aplikacione për regjistrim. Shumica prej këtyre aplikimeve kanë ardhur përmes ndonjërës nga tri e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së. Prej tyre janë aprovuar 10 mijë e 476 aplikacione, kurse janë refuzuar 1 mijë e 337 të tjera”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ai më tej ka bërë të ditur se periudha e votimit përmes postës ka filluar para pak kohësh dhe se ajo do të përfundojë më 20 tetor.

Ndërkaq analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se votuesit e diasporës janë lënë anash nga institucionet.

“Votuesit nga diaspora në njëfarë mënyre janë lënë anash nga institucionet përgjegjëse. Është i nevojshëm një informim më i mirë për ta rreth procedurave të votimit”, ka deklaruar ai, duke shtuar se atyre duhet t’u mundësohet të votojnë në mënyra më të lehta.

“Po ashtu atyre duhet lehtësuar votimin, duke mundësuar që të votojnë edhe fizikisht nëpër ambasadat dhe nëpër konsullatat e Kosovës në shtetet ku jetojnë. Kjo do të ndikonte që të rritej edhe interesimi i tyre për proceset zgjedhore”, ka shtuar ai.

Dervishi: Numri i votuesve mund të rritet

Avni Dervishi, politolog në Suedi dhe aktivist për forcimin e diasporës shqiptare në Evropë, ka konsideruar se numri i vogël i votuesve nga diaspora ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit të institucioneve në Kosovë. 

“Duke pasur parasysh se Ministria e Diasporës deri tash i ka regjistruar rreth 400 000 pjesëtarë nga diaspora është në fakt shumë e pakuptueshme pse KQZ-ja nuk bashkëvepron me Ministrinë e Diasporës. Do të thotë, arsyeja pse po rezulton kaq i vogël numri i votuesve nga diaspora është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, numri i votuesve nga jashtë mund të rritet vetëm kur Qeveria të propozojë që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë reprezentimin e vendeve të rezervuara në Kuvend për përfaqësuesit e diasporës.

Ndërkohë ka konsideruar se numri i tyre do të mundë të rritej edhe nëse atyre do t’u krijoheshin kushte më të favorshme për të votuar.

“Numri i votuesve nga diaspora konkretisht mund të rritet po ashtu nëse në ditën e votimeve hapin dyert të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë, në ato vende e regjione ku ka diasporë e edhe qendrat kulturore që financohen nga Ministria e Diasporës”, ka potencuar ai.

Lluka: Mërgimtarët janë lodhur duke mbushur aplikacione

Jahja Lluka, kryesues i Departamentit për Çështje të Diasporës në AAK, ka konsideruar se numri i votuesve nga diaspora është shumë i vogël për arsye se ligji ekzistues ka shumë probleme administrative.

“Duhet të ndryshohet ligji që çdo shqiptar kudo që është të votojë drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës elektronike. Por, fatbardhësisht ne tash jemi shtet, kemi konsullata, ambasada, kemi qendra kulturore ku shqiptarët mund të votojnë”, është shprehur ai.  

Sipas tij, qytetarët e diasporës tashmë janë lodhur nga aplikacionet e shumta.  

“Mërgimtarët janë lodhur më duke mbushur aplikacionin në çdo palë zgjedhje, edhe ai aplikacion duhet të shqyrtohet pastaj prej një komisioni të KQZ-së, i cili nganjëherë edhe shpesh i shpall të pavlefshme ato aplikacione dhe mërgimtarët nuk e kanë mundësinë që të votojnë për njerëzit që i përzgjedhin vetë”, ka shtuar Lluka gjatë një bisede për “Zërin”.  

Rrustemi: Nuk ka pasur ndonjë kampanjë për informimin e votuesve

Ndërkaq Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka konsideruar se ka një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, porse nuk ka numër të kënaqshëm të cilët votojnë gjatë zgjedhjeve.

“Të dhënat e deritanishme e tregojnë një përqindje thuajse simbolike të bashkatdhetarëve në zgjedhje dhe kjo vjen si pasojë para së gjithash e sistemit të gabuar që kemi për votimin e bashkatdhetarëve”, ka deklaruar ai.

Pos kësaj, sipas Rrustemit, në këtë numër ndikon edhe mosinformimi i tyre për mënyrën e votimit. Andaj Rrustemi ka konsideruar se rritja e numrit të bashkatdhetarëve në zgjedhje mund të bëhet me ndryshim të ligjit, duke ua mundësuar atyre të votojnë edhe nëpër ambasadat e shteteve ku jetojnë.

Kurse Rasim Alija nga organizata “D4D” ka konsideruar se ende mbetet problem informimi i votuesve për mënyrën sesi ata mund të votojnë.

“Numri i vogël i votuesve nga diaspora lidhet me mundësinë që KQZ-ja e ofron për këta votues. Edhe pse KQZ-ja ka përmirësuar mundësinë e votuesve nga diaspora, mbetet problematik informimi i votuesve për mënyrën e këtyre votuesve”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale duhet të ketë kritere të tjera sa u përket votuesve të diasporës.

“Një formë konkrete e propozuar nga instituti “D4D” ka qenë krijimi i një liste votuese të veçantë për diasporën. Ndërsa është shumë me rëndësi të theksohet një fakt, që pavarësisht zgjedhjeve parlamentare, ku pjesa e votuesve nga diaspora është e rëndësishme, në zgjedhjet lokale duhet të ketë kritere të tjera. “D4D” e ka përfshirë në pjesën e reformës zgjedhore që për zgjedhjet lokale të kenë të drejtë të votojnë vetëm pjesa e diasporës, të cilët së paku 6 muaj para zgjedhjeve lokale të kenë qëndrim në Kosovë”, ka potencuar Alija.

Të rekomanduara