Veseli: Kthesa e madhe me Agim Aliun po vjen, ndryshimi po ndodh në Ferizaj

Zgjedhjet lokale 2017 October 18, 2017 - 19:22

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, para mijëra qytetarëve të Ferizajt, në sheshin e ndërtuar nga Agim Aliu, ka thënë se kthesa e madhe po vjen dhe ndryshimi në Ferizaj po ndodhë.

Ai ka thënë se ky shesh me mijëra ferizajas, vepër e qeverisjes shembullore të Agim Aliut, është mesazhi më i mirë i fitores së tij.

Qeverisja e deritashme, Veseli ka thënë se ia ka humbur katër vjet Ferizajt.

“Katër vjet ka qenë qeverisje pa vizion, e papërgjegjshme dhe me shumë familjarizëm. E kanë trajtuar jodinjitetshëm qytetarin e Ferizajt. Sot jemi bërë bashkë, përtej vijave partiake, jemi bërë bashkë me Agim Aliun kryetar, që t’ia kthejmë dinjitetin Ferizajt, t’ia kthejmë dinjitetin qytetarit të Ferizajt, mjekut dhe arsimtarit, studentit dhe pensionistit, t’ia kthejmë lirinë ekonomike sipërmarrësit dhe përkrahjen fermerit të Ferizajt”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se Agim Aliu është njeriu i dëshmuar për Ferizajn, më shumë dhe më mirë se gjithë të tjerët që janë në garë.

Kreu i PDK-së ka thënë se nuk ka asnjë dilemë për vullnetin e ferizajasve dhe më 22 tetor Agim Aliu do të jetë kryetar i Ferizajt.

Me Agim Aliun kryetar, Veseli ka premtuar se investimet do të rriten në rrugë dhe në shkolla, në parqe dhe në çerdhe.

“Ne kemi marrë një vendim të madh për qytetarët dhe specialistët e Ferizajt, në pjesën e parë të mandatit, ne do ndërtojmë spitalin modern regjional në Ferizaj. Ferizaj e meriton dhe ne do ta bëjmë realitet”, ka thënë ai.

Veseli ka premtuar përkrahje edhe për projektin e Agim Aliut për bashkimin e qytetit përmes hekurudhës nëntokësore.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se qeveria në largim nuk i mbajti premtimet.

Ai ka thënë se është koha për Forcën e Ndryshimit dhe në katër vjetët e ardhshëm Ferizaj do të qeveriset nga PDK-ja.

Kandidati për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se do të krijojë lehtësira për hapjen e vendeve të reja të punës përmes Fondit të Punësimit, ku përfshihen edhe subvencionet për biznese dhe subvencionimi i kamatave të kredive bankare.

Aliu premtoi edhe ndërtimin e spitalit të ri në Ferizaj dhe ndërtimin e një mbikalimi harkor mbi hekurudhën e Ferizajt.

Image

 

Të rekomanduara