KQZ i dërgon shkresë PZAP-it, ia sqaron rastet kur dënohen kandidatët në garë për zgjedhje

Zgjedhjet lokale 2017 October 18, 2017 - 18:21

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një shkrese dërguar sot, ia ka sqaruar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në cilat raste mund të shqiptohen dënime për shkelje të fushatës nga kandidatët në garë dhe se në çfarë rrethanash fëmijët nën moshën 18- vjeçare mund të bëhen pjesë e fushatës. Ky reagim i KQZ-së vjen pas shqetësimeve lidhur me masat e shqiptuara nga PZAP-i me përfshirjen në fushatë zgjedhore të kategorive të caktuara.

Anëtari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Betim Gjoshi ka folur për Gazetën Express rreth asaj se çfarë është diskutuar në mbledhjen e sotme dhe çfarë përmban shkresa drejtuar PZAP-it.

“Ne sot ia kemi dërguar një shkresë PZAP-it në lidhje me rregulloren 2013/13 ku parashihen rregullat për fushatën zgjedhore, ne mesin e tyre jemi bazuar në nenin 5.2 ku një kategori e caktuar e personave iu ndalohet pjesëmarrja në fushata por ne si KQZ edhe me dashtë me ia ndalu pjesëmarrjen ligji për tubime publike krejt qytetarëve ia lejojnë pjesëmarrjen por nuk iu lejon me mbajtë fjalime d.m.th shërbyesve civilë, personave nën moshën 18 vjet, FSK, policisë nuk u lejohet me promovu kandidatë pra të jenë aktiv në fushatë. Por nuk ju ndalohet të jenë pjesëmarrës pasiv nëpër tubime”, ka shpjeguar Gjoshi.

I njëjti nen, sipas tij, është edhe për fëmijë. Gjoshi thotë se fëmijëve nuk u ndalohet pjesëmarrja në rast se të njëjtët kanë leje nga prindërit ose në ato raste kur marrin pjesë në tubime vetëm si dëgjues.

“Pra fëmijëve u ndalohet në fushatë pa leje të prindërve, por nëse e ka lejen e prindërve u lejohet e kjo tash, që i kanë dënu këta kandidat që e kanë marrë fëmijën e vet, kjo është absurd dhe nëse fëmijët janë si dëgjues në tubime, por jo të jenë në reklama të partive”, ka shtuar ai.

PZAP së fundmi ka dënuar kandidatët të cilët sipas tyre kanë shkelur Ligjin që ka të bëjë me fushatën zgjedhore.

 

Të rekomanduara