Sulmohet me gurë deputeti i ‘Vetëvendosjes’ dhe kandidati për kryetar komune

Zgjedhjet lokale 2017 October 16, 2017 - 22:31

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sonte rreth orës 20:00 është sulmuar me gurë e shishe deputeti dhe Drejtuesi i Shtabit Zgjedhor të VV-së, Ismajl Kurteshi, si dhe kandidati për kryetar të Shtimes, Ruzhdi Jashari.

Siç thuhet në njoftim, Ismajli, Ruzhdiu e disa aktivistë të VV-së u sulmuan pas përfundimit të VV-së në fshatin Carralevë.

Nga ky sulm bëhet e ditur se ka marrë lëndime aktivisti Arbër Krasniqi – dhe VV thotë se e gjitha ka ndodhur në prani të policëve – të cilët ishin 5 metra larg tyre.

Njoftimi i plotë i "Vetëvendosjes" : 

TË ZBULOHEN DHE DËNOHEN SULMUESIT E ISMAJL KURTESHIT DHE RUZHDI JASHARIT Sonte, rreth orës 20.00, persona të panjohur kanë sulmuar me gurë, vezë dhe shishe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Drejtuesin e Shtabit Qendror të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ismajl Kurteshin, kandidatin për kryetar të Shtimes z.Ruzhdi Jashari dhe disa aktivistë dhe simpatizues.

Ata u sulmuan pas përfundimit të tubimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në fshatin Caralevë të Komunën e Shtimes, që qëllon të jetë dhe fshati i kryetarit aktual të Komunës së Shtimes.

Aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbër Krasniqi ka marrë lëndime nga sulmi që është kryer para pranisë së zyrtarëve të policisë, jo më larg se 5 metra prej tyre.

Lëvizja VETËVENDOSJE! fton organet ligjzbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime për zbulimin dhe dënimin e sulmuesve.

Këto sulme që shpërfaqin panikun e pushtetit lidhur me fuqizimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Shtimes dhe kudo në Republikën e Kosovës nuk do të mund ta ndalin vullnetin popullor për ndryshimin e madh politik, të filluar më 11 qershor dhe që do të masivizohet edhe më shumë në rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit.

Të rekomanduara