Mustafa: Peja do të qeveriset nga LDK-ja

Zgjedhjet lokale 2017 October 16, 2017 - 19:55

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të hënën gjatë një tubimi parazgjedhor se zgjidhja e vetme dhe më e mira për qeverisjen e Pejës është platforma e LDK-së dhe kryetari Gazmend Muhaxheri.

“Jo vetëm anëtarët e simpatizantët e LDK-së, por të gjithë qytetarët e komunës së Pejës, janë dëshmitarë të qeverisjes së mirë e transparente. Pushteti i ardhshëm lokal në Pejë do të qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës, do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë poashtu se Muhaxheri dhe LDK-ja e kanë kthyer Pejën në rrugën e zhvillimit.

“Prandaj, ballëhapur u kërkojmë votën pejanëve. Sepse Gazmend Muhaxheri dhe LDK-ja i kanë mbajtur premtimet. Sepse ne i mbajmë premtimet”.

Mustafa është shprehur i bindur se qytetarët e Pejës nuk do të lejojnë kthimin e e qeverisjes së para katër vjetëve, dëmin e së cilës, sipas tij, qeverisja aktuale e Pejës mezi e ka sanuar për katër vjet, njofton Klan Kosova.

“Qytetarët e Pejës dhe krejt Kosovës, do t’i japin fitoren LDK-së, për t’i çuar në shtëpi ata që premtojnë vendime të mëdha dhe vetëm e izolojnë Kosovën dhe për ata që i dhunojnë e i gjuajnë institucionet e Republikës së Kosovës”.

Kryetari aktual i Pejës dhe kandidati i LDK-së për kryetar të ardhshëm të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se falë fitores së LDK-së në zgjedhjet e kaluara, sot në Pejë, të gjithë punojnë të lirë, pa frikën se do t’i zhvasin dhe pa barrën e papërballueshme të haraçit.

“Në këto 4 vjet, qyteti është modernizuar çdo ditë e më shumë, ndërsa fshatrat, nga investimet dhe punët që kemi bërë bashkë me të gjithë qytetarët, tani duken krejt ndryshe”, ka thënë Muhaxheri, sipas të cilit, do të vazhdojnë investimet në qytet dhe fshatra.

“Do të ndriçohen të gjithë fshatrat. Rugova do të jetë qendra më e madhe e turizmit në Kosovë, sepse ne, brenda 2-3 viteve të ardhshme, do të finalizojmë gjithë infrastrukturën e fashtarve të Rugovës. Radaci, burimi i Drinit të Bardhë, e krejt Podguri do të jenë destinacion i zgjedhur për turistët. Brenda javësh, do ta fillojmë “Borean”, projektin jetik për Pejën dhe për krejt Dukagjinin, në të cilin do të punësohen menjëherë 500 persona dhe numri do të rritet deri në 8 mijë të punësuar”, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka thënë se “Borea”, do të jetë resursi që do ta zhvillojë Pejën në dekadat e ardhshme.

“Prandaj po na sulmojnë për “Borean, sepse kundërshtarët tanë janë kundërshtarë të Pejës së zhvilluar”, ka thënë Muhaxheri, duke shtuar se kundërshtarët e Borea-s duan që Peja të mos zhvillohet, në mënyrë që ata të mund t’i sundojnë më lehtë qytetarët e saj.

Ai ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Pejës më 22 tetor, duke theksuar se fitorja e LDK-së e para 4 vjetëve, është e pathyeshme dhe e pakthyeshme.

Image

 

Të rekomanduara