Abrashi premton punësimin e prishtinasve dhe Gollakun qendër turistike

Zgjedhjet lokale 2017 October 16, 2017 - 19:36

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një tubimi me strukturat e Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë dhe qytetarë në Shkollën Fillore "Emin Duraku", ka premtuar rikthimin e vëmendjes së qeverisjes lokale për zhvillimin e integruar të Prishtinës.

Nga objekti i shkollës, të cilën kryetari në largim, edhe pse kishte vijuar dikur mësimet në të, nuk e dinte apo nuk dëshironte ta pranonte se ishte ndërtuar gjatë qeverisjes së LDK-së, Abrashi ka premtuar se për pjesën që e mbulon Dega e Dytë të LDK-së, do të bëhet zgjerimi i rrugëve, ndërtimi i shkollave të reja, fuqizimi i Gollakut, Spitali i Prishtinës dhe projekte tjera.

"Gjatë këtyre katër viteve, ne jemi dëshmitarë se nuk u punua asgjë, por vetëm stagnim dhe ngufatje. Për këtë pjesë të Prishtinës, ne kemi menduar zgjerimin e rrugëve, ndërtimin e shkollave të reja, fuqizimin e Gollakut duke e kthyer në zonë turistike, Spitalin e Prishtinës që do të ndërtohet në këtë pjesë”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se dembelët duhet të dërgohen në shtëpi dhe se nuk duhet lejuar t’i humbim edhe katër vite të tjera.

“Gjatë këtyre katër viteve u punësuan vetëm militantë dhe u diskriminuan kuadrot e Prishtinës. Me marrjen e mandatit, ne do ta përkrahim rininë, do t’i dyfishojmë subvencionet për bujqit, do të ketë transport falas për pensionistë, veteranë dhe persona me aftësi të kufizuara, ndërsa ajo që është më e rëndësishmja, çdo i ri që ka ide për biznes do ta ketë përkrahjen tonë. Ne do të jemi ata që do ta ndërtojmë Prishtinën”, ka theksuar Abrashi, duke shtuar se për t’i realizuar këto projekte duhet votuar edhe asambleistët e LDK-së.

Kryetari i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, Mustafë Krasniqi ka thënë se përkrahja e qytetarëve për kandidatin tonë Arban Abrashi po shihet në çdo pjesë të qytetit, ndërsa për degën e dytë nuk kemi çfarë të flasim, sepse kjo degë është shumë besnike dhe aktive.

Ai ka thënë me qeverisjen e LDK-së, Prishtina do të ketë shumë projekte, ndërsa për pjesën e Gollakut ka premtuar zgjerimin e rrugës që nga dalja e qytetit te”Bunari i Hajratit” e deri në lagjen Ugri të Grashticës.

“Te ‘Fusha e Pajtimit’ do të ketë ndryshime të mëdha, sepse atje do të ketë hapësira rekreative për rini e të moshuar, por gjithsesi do të ketë projekte edhe për Butovcin, Gërminë e çdo pjesë të qytetit”, është shprehur Krasniqi.

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

 

Të rekomanduara