Xhafer Gashi: Punuam shumë dhe pa korrupsion në Obiliq – duam të vazhdojmë kështu

Zgjedhjet lokale 2017 October 14, 2017 - 18:20

Kryetar aktual i Komunës së Obiliqit që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Xhafer Gashi, po pretendon se ka punuar mirë gjatë katër vjetëve të kaluara si kryetar komune, ndaj thotë se për të vazhduar projektet e mira do t’i duhet edhe një mandat.

Gashi në Info Lokale në Klan Kosova ka përmendur faktin se Obiliqi është një nga vetëm tri komuna në Kosovë që nuk ka pasur asnjë aferë korruptive.

“Kemi realizuar shumë projekte dhe jemi në mesin e tri komunave në Kosovë që nuk kemi asnjë aferë të korrupsionit dhe kemi realizuar të gjitha, ose shumicën e projektet”, pohoi Gashi, njofton Klan Kosova.

Tani pohon Gashi se ka fokus zhvillimin ekonomik dhe punësimin në komunën që pretendon të vazhdojë ta udhëheq.

“Jemi të fokusuar në dy shtylla kryesore ku kemi 60 projekte, në mesin e tyre 10 projekte janë për zhvillim ekonomik. Pastaj projekt tjetër i rëndësishëm që ndihmon në punësim është edhe ndërtimi i Kosovës së Re”.

“Pastaj është edhe ligji për Obiliqin që në pikat që i ka është edhe çështja e punësimit”.

“Gjatë këtyre zhvillimeve të fundit me ardhjen e Haradinjat në qeverisje është bërë zhbllokimi i minierave për shkak se ishin të bllokuara më herët pasi që kishte probleme me qytetarë dhe njëri nga vendimet e qeverisë ishte dhe çështja e punësimit për qytetarët e Obiliqit”.

“Gjithashtu pritet që shumë shpejt të hapet një konkurs për 100 punëtorë në Obiliq dhe në tri vitet e ardhshme pritet të pensionohen mbi 1000 punëtorë në KEK dhe me respektimin e ligjit për Obiliqin qytetarët e kësaj komune do të punësohen”.

“Të përmendim këtu se ka edhe shumë investitorë të interesuar për të investuar në Obiliq”.

Gashi ka folur edhe për përmirësimin e gjendjes që sipas tij e ka bërë në arsim.

“Gjendjen në arsim e kemi gjetur shumë të dobët dhe e kemi përmirësuar dukshëm. Kemi ndërtuar anekse shkollore, është në përmbyllje një shkollë dhe një tjetër ka filluar të ndërtohet”.

“Suksesi më i madh ka qenë tek shkolla profesionale dhe gjimnazi dhe nga dy ndërrime që kanë qenë më herët kemi arritur ta bëjmë vetëm një ndërrim. Kemi dhënë edhe 72 bursa, 50 për studentë dhe 22 për nxënësit. Por në të ardhmen do të japim 100 bursa”.

Të rekomanduara