Këta janë deputetët që synojnë të bëhen kryetarë komunash

Zgjedhjet lokale 2017 October 14, 2017 - 11:20

Më shumë se 10 deputetë të kësaj legjislature po synojnë të zgjidhen në krye të komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, shkruan Zeri.info".

Driton Çaushi (Gjakovë), Faton Topalli (Ferizaj), Sami Kurteshi (Gjilan), Mytaher Haskuka (Prizren), Salih Salihu (Viti), Qëndron Kastrati ( Dardanë) janë gjashtë deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët kanë kandiduar për kryetarë komunash, ani pse janë zgjedhur deputetë në këtë legjislaturë.

Kurse Agim Aliu (Ferizaj) dhe Zenun Pajaziti (Gjilan) janë dy prej deputetëve të PDK-së që do ta sfidojnë veten në garën e zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash.

Ndërkaq nga LDK-ja është vetëm deputeti Arban Abrashi ai i cili është emëruar për kandidat për kryetar (Prishtinë).

E përderisa deputeti Gani Dreshaj nga AAK-ja po tenton ta marrë komunën e Burimit, Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën pretendon ta marrë komunën e Prizrenit. Pos këtyre, edhe deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila është njëra nga deputetet që ka ambicie ta rimarrë Gjakovën. Pos këtyre, edhe deputetja e pavarur nga radhët e komunitetit boshnjak Emilia Rexhepi është njëra prej kandidateve për kryetare (në Komunën e Prizrenit). /Zeri/.

Të rekomanduara