Mustafa: Asllanaj në Suharekë ndër kryetarët më të suksesshëm të komunave

Zgjedhjet lokale 2017 October 02, 2017 - 21:33

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të hënën në një tubim në Suharekë, se kryetari i deritanishëm i kësaj komune, Sali Asllanaj, është ndër kryetarët më të suksesshëm të komunave në Kosovë.

“Sipas vlerësimeve tona dhe asaj që kemi dëgjuar në terren, zoti Asllanaj është ndër kryetarët më të suksesshëm, prandaj besoj se gjithë qytetarët e Suharekës do ta vlerësojnë punën e tij për zhvillimin e kësaj komune”, ka thënë Mustafa.

Ai ka potencuar se njerëzit që punojnë mirë në udhëheqjen e një komune, janë si një kryefamiljar i mirë dhe kryefamiljari i mirë nuk ndërrohet.

“Prandaj unë nuk kam arsye të kërkoj nga ju besimin për kryetarin tuaj, sepse e di që keni besim tek ai. Punët e komunës nuk kryhen për katër vjet, prandaj kryetari i mirë duhet të vazhdojë me projektet e tij”, pohoi kreu i LDK-së.

Sipas tij, Suhareka ka shumë njerëz të dijshëm, edhe këtu edhe në diasporë, keni orientime shumë të mira zhvillimore dhe këto potenciale mund t’i çoni përpara me kryetarin Asllnaj, i cili gjithmonë do ta ketë përkrahjen e LDK-së, e shumë shpejt edhe të Qeverisë së Kosovës, sepse këta që janë në qeveri nuk do të jenë shumë gjatë aty.

Kryetari i Suharekës dhe kandidat i LDK-së për zgjedhjet e 22 tetorit, Sali Asllanaj, ka thënë se po shoh shumë njerëz këtu, por në veçanti i përshëndes këta me plisa të bardhë, që janë pjesë emblematike e LDK-së.

“Peçani dhe Suhareka na kanë mbështetur vazhdimisht e kështu presim edhe këtë herë. Konsideroj se forca kryesore e LDK-së është zhvillimi ekonomik, prandaj po e filloj me këtë fushë. Kemi platformë të shkëlqyeshme por edhe ekspertë të njohur, duke filluar nga kryetari Isa Mustafa, pastaj shefi i Grupit Parlamentar Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami e të tjerë. Të gjithë këta kanë punuar në programin ekonomik për secilën komunë, pra edhe për komunën tonë, pasi pa zhvillim ekonomik të gjitha tjerat bien në ujë“, ka thënë Asllanaj,

“Nëpër debatet televizive kemi parë se si kandidatët për kryetarë komunash krenohen se si do të krijojnë zona ekonomike, ndërsa ne i kemi krijuar para dhjetë vjetësh. Sigurisht që në ato zona do të investojmë edhe më tutje, sepse bizneset kanë nevojë për përkrahje, ndërsa ato do të na shpërblejnë me numër të madh të të punësuarve, do të ndalin largimin e të rinjve nga vendi dhe do të jenë shtyllë e fuqishme e zhvillimit tonë ekonomik”, ka shtuar Asllanaj.

Ai ka premtuar rritje të buxhetit të bujqësisë për 50 për qind, pastaj ka folur për sistemin e ujitjes, për ngritjen e cilësisë në arsim, krijimin e laboratorëve për fizikë, kimi e matematikë, ka premtuar investime më të mëdha në shëndetësi, përfundimin e ujësjellësit në Peçan e projekte të tjera.

Asllanaj ka vlerësuar se me punën e bërë në mandatin e saj, LDK ka plotësisht të drejtë të kërkojë votën e qytetarëve të Suharekës dhe është e bindur se do ta ketë besimin e tyre.

Të rekomanduara