Fazli Hoxha: Fshatrat e Gjakovës do t’i kthejë në zona turistike

Zgjedhjet lokale 2017 October 02, 2017 - 19:12

Kandidati i Nisma për kryetar të Gjakovës, Fazli Hoxha ka thënë se kur ta marrë detyrën do të investojë në qendrën “Shani Nushi” që sipas tij përdoret vetëm në kohë fushatash.

Ai më tej ka thënë se disa fshatra të kësaj komune do t’i kthejë në pika rekreative e turistike, njofton Klan Kosova.

“Sot në Komunë e Gjakovës i kemi dy fshatra pa ndriçim, ujë e rrugë. Është fshati Zylfaj ku banorët janë të interesuar që të banojnë atje por nuk banojnë për shkak të kushteve. Edhe në fshatin Koshare i kemi kontaktuar banorët dhe atje planifikojmë të krijojmë kushte për banim”, ka thënë ai në Info Lokale.

“Ne tërë kohën dëgjojmë shumë premtime e projekte, të cilat i dinë edhe ata vetë që nuk realizohen. Në shekullin 21 ende ka fshatra pa ujë të pijes si Reka e Keqe dhe atje për gjashtë muaj do të përfundojë ky projekt”, ka thënë ai.

“Një ndër pikat tona është që ta zhvillojmë turizmin. Ne kemi planifikuar rrugën nga Radoniqi te Suka e Cërmjanit. Është një pikë që rekreacioni dhe turizmi të zhvillohen atje”, është shprehur ai.

Fazliu ka thënë më tej se vlerëson të gjithë kundërkandidatët në garën për Gjakovën, por që ka thënë se ata kanë pasur rastin më parë që të bëjnë diçka për Gjakovën dhe që nuk e kanë bërë.

Të rekomanduara