Partia turke mbështesin zyrtarisht Shaqir Totajn për kryetar të Prizrenit

Zgjedhjet 2017 November 12, 2017 - 13:02

Partia Demokratike e Kosovës ka nënshkruar koalicion me Partinë Demokratike Turke të Kosovës për të vazhduar bashkëqeverisjen në Prizren edhe për katër vitet e ardhshme me kryetarin Shaqir Totaj.

Marrëveshja u nënshkrua në Prizren ku të pranishëm ishin edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i KDTP-së, Mahir Yagcilar.

“Koalicioni i arritur sot mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), për bashkëqeverisje edhe në katër vjetët e ardhshëm në Prizren, është një tjetër hap për vulosjen e fitores më 19 nëntor. Me këtë marrëveshje, po përmbyllet mozaiku politik i këtij qyteti të bukur. Shaqir Totaj do të jetë Kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Prizrenit, pa dallim partie politike e përkatësie etnike”, ka thënë kreu i PDK-së Kadri Veseli.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se marrëveshja me partinë turke KDTP në Prizren është demonstrim i qasjes së tij si Kryetar i ardhshëm i Prizrenit për të punuar me të gjithë dhe për të gjithë pasi Prizreni është qytet multikulturor dhe sinonim i bashkëjetesës mes komuniteteve.

Nga ana tjetër, kreu i KDTP-së Mahir Yagcilar tha se koalicioni me PDK-në është tradicional dhe do të vazhdoj për të mirën e gjithë qytetarëve të Prizrenit.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, PDK ka dalë forca më e votuar politike në Prizren dhe kandidati Shaqir Totaj ka dalur bindshëm i pari.

Tani, në garën e balotazhit, PDK në Prizren ka arritur koalicion me përfaqësuesit e gjitha komuniteteve, për të përfshirë në qeverisjes e ardhshme gjithë përfaqësuesit e komuniteteve që jetojnë në Prizren.