Arben Gashi i përgjigjet Albin Kurtit për koalicionin LVV-LDK

Zgjedhjet 2017 June 14, 2017 - 16:25

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, dje i ka bërë thirrje koalicionit LDK-AKR-Alternativa që të bashkohen për ta formuar qeverinë. Pozitive ka qenë përgjigja e Alternativës së Mimoza Kusari Lilës, por një të tillë nuk e ka dhënë ende LDK-ja e Isa Mustafës.

Është deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ai që mendon se këto parti duhet të diskutojnë me njëra-tjetrën dhe të gjejnë një zgjidhje. Megjithatë, ai ka shprehur dilemën e tij nëse thirrja e Kurtit ishte deklarim politik, apo thirrje konkrete.

“Nuk e di a është thirrje vetëm politike, apo është ftesë konkrete për diskutim. Në situatën aktuale për Kosovën, ku janë tri grupe përafërsisht të njëjta, normalisht që duhet me u ulë me bisedu se cila do të jetë zgjidhja. Asnjëra prej tyre nuk munden me e bë qeverinë, atëherë domosdoshmërish duhet me u ulë dhe me diskutu”, ka thënë Gashi për “Indeksonline”.

Lidhur me votat nga zgjedhjet e 11 qershorit, Gashi është shprehur se përafërsisht numri i votave është i njëjtë nga ato të zgjedhjeve të kaluara.

“Besoj që po. Nuk i kam krejt rezultatet, por trendi është i përafërt si herën e kaluar, pak a shumë ashtu siç i kam pasur”, ka thënë ai. 

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ende nuk i ka numëruar votat me kusht dhe ato me postë, por deri më tani rezultati qëndron si në vijim: 

Koalicioni PDK-AAK-NISMA - 33.92 %
Lëvizja Vetëvendosje - 27.16 %
Koalicioni LDK-AKR-Alternativa – 25.79 %