Ja si dështuan partitë lidere nëpër komuna… Lutfi Haziri, Agim Bahtiri, Svarqa, Kusari-Lila

Zgjedhjet 2017 June 13, 2017 - 17:52

Nmërimi i votave të zgjedhjeve të 11 qershorit tashmë po shkon drejt fundit, derisa rezultatet kanë treguar shumë befasi në disa komuna.

Ferizaj, Gjilani, Gjakova, Vushtrria, Fushë Kosova, Peja, Vitia, Mitrovica, Kamenica, Suhareka dhe Kaçaniku edhe pse udhëheqen nga disa parti politike, në zgjedhjet e 11 qershorit ka pasur rezultate befasuese, raporton lajmi.net

Në qytetin e Ferizajt ku udhëheq LDK-ja me kryetarin Muharrem Svarqa, kjo parti nuk ka arritur të dalë as e dyta. Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 34.86% të votave, duke lënë prapa koalicionin PAN me 30.49% të votave, kurse koalicioni LAA është i treti me 29.85%.

Edhe në Gjilan LDK-ja të paktën në zgjedhjet e përgjithshme nuk ka dalur të jetë parti e preferuar. Në qytetin që drejtohet nga Lutfi Haziri ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, madje me dallim të madh me LDK-në. VV ka arritur të sigurojë në këtë qytet 41.73% të votave, kurse 27.58% kishte koalicioni LAA. Në vendin e tretë është PDK-AAK-NISMA me 22.30% të votave.

Mimoza Kusari-Lila, kryetar e Gjakovës (Alternativa)

Mimoza Kusari Lila kryetar e Gjakovës tash pjesë e koalicionit LAA, ka përfunduar tek në pozitën e tretë në këtë qytet. Koalicioni PAN prin në Gjakovë me 41.62% të votave, kurse Lëvizja Vetëvendosje është e dyta me 30.15%. Koalicioni LDK-AKR-Alternativa, në këtë qytet nuk ka arritur të marrë më shumë se 23.78% të votave.

LDK-ja e ka humbur kryesimin edhe në Fushë Kosovë.  Edhe pse në një garë të ngushtë, Vetëvendosja ka arritur që ta fitojë edhe këtë komunë me 34.57% të votave, kurse koalicioni LAA ka arritur të sigurojë 33.83% të votave.

Në Vitinë e Sokol Halitit të LDK-së, e para ka dal Lëvizja Vetëvendosje. Këta të fundit deri më tani kanë 37.06% të votave, kurse LAA ka 34.69%. Të tretët në këtë komunë janë koalicioni PAN me 25.75% të votave.

LDK-ja edhe pse partnerë me dy parti, e ka humbur edhe qytetin e Pejës, si një nga sukseset më të mëdha që e kishte në zgjedhjet e fundit komunale. Koalicioni PAN kryeson në këtë qytet me 36.58% të votave, duke lënë prapa LAA-në me 30.93% të votave.

Edhe pse në koalicion me LDK-në, Agim Bahtiri nuk ka mundur ta ‘dëshmojë’ forcën në Mitrovicë. Në vendlindjen e Veselit të partë janë pikërisht koalicioni PAN me 36.35% të votave, por me një diferencë të vogël me Vetëvendosjen e cila ka siguruar 36.02%. LAA janë të tretit, me vetëm 23.04%.

Sali Asllanaj, kryetar i Suharekës (LDK)

Koalicioni PAN kryeson edhe në qytetin e Suharekës, ku udhëheq LDK-ja me kryetarin Sali Asllanaj. PDK-AAK-NISMA në këtë komunë kanë arritur të sigurojnë mbi 44% të votave, kurse LDK-ja me partnerë të koalicionit ka 34.57% të votave.

Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë edhe tri komuna që udhëheqen nga PDK-ja, bëhet fjalë për Kamenicën, Vushtrrinë dhe Kaçanikun.

Në Kaçanikun e Besim Ilazit, kryeson Vetëvendosja që ka arritur të marrë 37.80% të votave, derisa po zhvillohet garë e ngushtë pasi koalicioni PAN ka 37.52% në këtë komunë.

Në Kamenicë PDK-ja me partnerë të koalicionit nuk kanë arritu të dalin as të dytit. Edhe këtu ka arritur që befasi të shkaktojë Vetëvendosja e cila ka marrë 38.60% të votave, kurse koalicioni LAA është i dyti me 28.67% të votave. PAN-i në këtë komunë janë të tretit duke siguruar vetëm 21.48% të votave.

Begzad Sinani, kryetar i Kamenicës (PDK)

E gara më e ngushtë po zhvillohet në qytetin e Vushtrrisë. Vetëvendosja është duke avancuar në këtë komunë me vetëm shtatë vota më shumë se koalicioni PAN. E këtu vendimtare pritet të jenë votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Deçani, Podujeva, Drenasi, Skënderaji, Istogu e Prizreni kanë mbetur në votat duke qenë, duke mos pasur ndryshime të mëdha në rezultat.

Në Deçanin e AAK-së kryeson koalicioni PAN njejtë sikur ka ndodhur edhe në Drenas, Skënderaj dhe Prizren. Kurse koalicioni LAA prin në Podujevë dhe Istog, bastione këto të Lidhjes Demokratike të Kosovës.