Vëzhguesit e BE-së - kontestohet besueshmëria e zgjedhjeve në veri

Zgjedhjet 2017 June 13, 2017 - 16:37

Vëzhguesit e BE-sëthonë se në veri të Kosovës ka pasur frikësime të votuesve brenda komunitetit serb. Reagimi i Prokurorisë dhe policisë nuk ishe i mjaftueshëm.

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian që kanë monitoruar zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, thonë se zgjedhjet e parakohshme janë zhvilluar në një atmosferë paqësore, në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës. Por ata janë të shqetësuar me zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës ku "ka pasur frikësime të votuesve”. 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian erdhën në Kosovë për të mbikqyrur zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit me kërkesë të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

"Gjetjet tona tregojnë se janë përsëritur problemet e vjetra, siç janë listat e pasakta të votuesve, votimi familjar, raste të ndihmës abuzive të votuesve dhe sistem i mangët për votim jashtë Kosovës”, tha Alojz Peterle, shef i misionit vëzhgues. Afro 400 mijë persona me të drejtë vota ka diaspora kosovare. Por vetëm 16 mijë prej tyre kanë aplikuar online për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit.

Procesi i dëmtuar në vendbanimet serbe

Alojz Peterle tha se në vendbanimet me shumicë serbe procesi zgjedhor u dëmtua rëndë, pasi që u përdorën metodat e frikësimit brenda komunitetit serb. Ndërkohë që për këto raste nuk pati reagim të shpejtë dhe të mjaftueshëm nga Prokuroria e shtetit dhe Policia.

"Kjo situatë ngritë pyetjen sesa mund të jetë i besueshëm procesi zgjedhor në këto zona. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kishte vonesa në informimin e votuesve, kishte vonesa në publikimin e vendimeve dhe në miratimin e masave parandaluese kundër mashtrimit”, tha Peterle.

Edhe organizata të shoqërisë civile kanë hedhur kritika në adresë të KQZ-së për mos-informim sa duhet të votuesve për mënyrën e votimit, për faktin që sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, mbi 50 mijë vota janë të pavlefshme. Kur kjo shndërrohet në përqindje, i bie që nga numri i përgjithshëm i votuesve, gati 4% e fletvotimeve janë të pavlefshme.

Në veri të Kosovës në ditën e zgjedhjeve me 11 qershor kishte edhe vëzhgues të misionit të OSBE-së, të cilat kanë konstatuar se procesi zgjedhor atje është zhvilluar "pa parregullësi apo incidente të mëdha”. Këto ekipe të OSBE-së në marrëveshje me KQZ-ve, kanë ofruar ndihmë teknike për organizimin e zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës. Edhe sipas vëzhguesve të OSBE-së, parregullsitë në veri të Kosovës kanë pasur të bëjnë me "mospranimin e kartave serbe të identitetit të disa votuesve dhe raste të votimit të dyfishtë ose shumëfishtë".

Serbët e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit garuan me 6 subjekte politike. Mirëpo lista ”Srpska” ishte e vetmja që kishte mbështetjen e qeverisë së Beogradit. Ajo fitoi mbi 5% të votave të serbëve dhe në Parlamentin e Kosovës do të ketë të paktën 10 deputetë.

Gjuriq akuzon institucionet e Kosovës

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka akuzuar gjatë kremtimit në veri, institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Sipas tijato kanë "dashur që komunitetit serb në Kosovë t'ia imponojnë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre”. "Të gjithë kanë dashur që përfaqësuesit serb t'i zgjedhin në vend që këtë ta bëjnë votuesit serb të Kosovës. Vendet e QUINT-it dhe Prishtina zyrtare kanë dashur t'i zgjedhin përfaqësuesit e serbëve, përkundër dëshirës së serbëve. Por kjo nuk u bë dhe nuk mund të bëhet. Populli serb në Kosovë i ka zgjedhur përfaqësuesit e saj legjitim dhe i është përgjigjur thirrjes së Aleksandër Vuçiqit. Serbia dhe populli serb janë fituesit e vërtetë dhe absolut këtu në Kosovë”, citojnë të ketë deklaruar Marko Gjuriq.

Raporti përfundimtar i vëzhguesve të BE-së do të publikohet pas dy muajve. Ndërsa raporti i sotëm me vlerësime preliminare do t'i dorëzohet komisionarit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn./DW/