Veseli në Kamenicë premton investime në bujqësi dhe fuqizim të grave në ndermarrësi

Zgjedhjet 2017 June 02, 2017 - 14:56

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh bartës i listës së koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka shpalosur sot para qytetarëve të Kamenicës platformën qeveritare të Fillimit të Ri, për garën zgjedhore të 11 qershorit.

Veseli u ka konfirmuar simpatizantëve të PDK-së përkushtimin e qeverisjes së pas 11 qershorit për të ndërmarrë hapa konkretë në shumë fusha, duke forcuar ekonominë dhe rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit.

Kreu i PDK-së u zotua për mbështetje ndaj bizneseve, fermerëve, grave dhe të rinjve, si promotorë të zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit.

“Kosova ka nevojë për ndërmarrës dhe fermerë më të fuqishëm, ajo ka nevojë për përkrahje ndaj grave dhe të rinjve. Kjo është platforma e koalicionit të madh, koalicionit të lirisë dhe perëndimit”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se stimulimi ndaj bizneseve aktuale në Kosovë, do të rezultojë me rritje të ndjeshme të numrit të të punësuarve, ndërsa konfirmoi hapje të vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë, falë hapave që parasheh platforma e Fillimit të Ri.

Kryetari i PDK-së paralajmëroi dyfishim të buxhetit për bujqësinë, sektor ky i cili, sipas tij, do të jetë fokus i qeverisjes së pas 11 qershorit, duke u shndërruar në motor të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës përcolli mesazhe për gratë, duke kërkuar angazhim më të madh të tyre dhe duke premtuar njëkohësisht, mbështetje të fuqishme, siç tha ai, për gjysmën e popullatës së Kosovës.

Në fokus të Fillimit të Ri, sipas Veselit, do të jenë të rinjtë, të cilët, siç tha ai, do të përgatiten për tregun e punës, konform nevojave të kohës.

Edhe në këtë tubim, Kadri Veseli rikonfirmoi rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë dhe punëtorët e tjerë të sektorit publik, si dhe të pensioneve, në shumën prej 30 për qind. 

“Ju ftoj që më 11 qershor të dilni e të votoni në mënyrë dinjitoze, për Kosovën perëndimore, për kandidatët e koalicionit. Urime fitorja më 11 qershor. Dalshim faqebardhë”, ka përfunduar fjalën e tij kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.