Zërat
Bahri Bivolaku
Bahri
Bivolaku

Politika në Kosovë dhe porositë e Victoria Nuland-it

Zërat July 11, 2016 - 12:10

Deklarata e presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor por dhe qëndrimet konfuze të ca partive politike me “shtetin e kontestuar”, i bëjnë të veçanta mesazhet që në Prishtinë do t’i sjellë ndihmëssekretarja amerikane e shtetit për Evropë dhe Azi, Victoria Nuland

Të shkruash për rolin shumë të fuqishëm të diplomacisë amerikane në procesin e shtetkrijimit të Kosovës nuk është asgjë e veçantë. Roli i saj ishte vendimtar, mjafton të kujtojmë kontributin e të dërguarit të SHBA-ve për Kosovën, Frank Wisner, në Grupin Negociator e më pas edhe të të gjithë administratës së këtij vendi. Kujtojmë veç sa negociata të zhvilluara me Rusinë për Kosovën më 20 prill 2007, pastaj presionit të kësaj diplomacie ndaj shteteve anëtare të BE-së, e veçanërisht në samitin SHBA – BE të mbajtur më 30 korrik 2007. Kujtojmë deklaratat e presidentit Bush gjatë vizitës në Itali dhe Shqipëri më 10 qershor 2007 dhe shohim mbështetjen që dha ky vend për “shtetësinë e kontestuar” të Kosovës. Politika në Kosovë duhet mirë të dëgjojë mbase për t’i kuptuar mesazhet që sjell Victoria Nuland në Prishtinë për të bërë hapat e duhur dhe për të ecur në drejtimin e duhur, ndryshe mund të bëhemi edhe pa dashje e dije pjesë e një regjioni të ndikimeve tjera. Roli i SHBA-ve, jo vetëm në menaxhimin e procesit të shtetkrijimit të Kosovës, por edhe në sigurinë e përgjithshme rajonale është jetik, andaj edhe porositë duhet kuptuar qartë dhe në këtë kontest. Demarkacioni, vazhdimi i dialogut me Serbinë, luftimi i korrupsionit e të tjera, janë fusha të politikës së brendshme, po aq sa janë edhe fusha të globalizmit, të cilat i shërbejnë sigurisë së përgjithshme rajonale. Politika në Kosovë karshi këtyre porosive, duhet t’i bëjë veprimet e matura e shumë pragmatike për t’u përgatitur qartë për të qenë pjesë e NATO-s dhe proceseve integruese evropiane.

Dhëmbët e gomarit dhe demarkacioni i kufirit

Në një kohë të hershme, ishin mbledhur filozofët më të mëdhenj të kohës në një bujtinë dhe debatonin për ditë me radhë për temën: Sa dhëmbë i ka gomari?. Debatet ishin të ashpra dhe assesi që të gjithë të arrinin konsensusin final se me të vërtetë sa dhëmbë i ka gomari. Dikush nga ta mbronte tezën se i ka 12, dikush 18 etj.
Pas tri ditë debatesh të nxehta e herë-herë edhe akuzuese duke e quajtur njëri-tjetrin tradhtar nga konstatimet e veta studimore prapë nuk arritën në asnjë përfundim. Ditën e katërt, andej pari kalon një filozof, por jo i veshur si ata me rroba qe e identifikonin një filozof. Ai kalonte andej i hipur në një gomar. Meqë rrugën e kishte bërë të gjatë, në bujtinë ku zhvillohej debati i ashpër, u ndal për ta shuar etjen me ndonjë pije. Hyn brenda dhe mezi e lënë në një qosh të bujtinës. Filozofi i ardhur dëgjon debatin e nxehur gjatë kohë dhe në një moment u thotë: “A më lejoni të flas edhe unë diçka për këtë temë?”. Të tjerët e përqeshnin atë guxim të tij. Nuk po munden ata që e konsideronin vetën alamet filozofësh ta zgjidhnin problemin e po mundet ky leckamani i ardhur. Por, në një moment thonë ta lënë të flasë dhe pak ta përqeshin. Filozofi i veshur keq dhe i ardhur rastësisht në atë debat u tha: “Unë jashtë kam gomarin dhe po dalim të gjithë atje. Unë po ia hapi gojën dhe ju numërojini dhëmbët dhe kështu përfundon debati juaj. Shikuan me habi dhe pak me mosbesim të tjerët, madje pati të tillë që nuk pranonin se ende mbronin tezat e teorisë së vet se diku shkruan se kaq dhëmbë ka gomari. Më në fund i numëruan dhëmbët e gomarit dhe zgjidhën problemin.
Këtë storie të metodës eksperimentale e kisha dëgjuar nga profesori i shkollës së mesme dikur në vitet e 80-ta dhe vërtet duke dëgjuar konstatime të ndryshme nga politikanët tanë se demarkacioni i kufirit Kosovë - Mali i Zi i dhuron malazezëve herë 18 mijë hektarë, herë 12 mijë hektarë, herë 8 mijë e diku asnjë centimetër, ma kujton këtë ndodhi dhe vërtet nuk e kuptoj se përse po bëhet gjithë kjo zhurmë. Pse nuk ia hapim edhe ne gojën gomarit dhe t’ia numërojmë dhëmbët e t’i japim fund përrallave.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK