Zërat
Jeton Zulfaj
Jeton
Zulfaj

Demarkacioni është kusht për viza, por jo pika kufitare!

Zërat July 09, 2016 - 12:31

Më 4 maj të këtij viti, Komisioni Evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ata që kanë ndjekur për së afërmi procesin e dialogut Kosovë - Serbi në Bruksel, e dinë se BE-ja kishte premtuar rrugë të shpejtë për liberalizim të vizave në prill të vitit 2013 si shpërblim për kompromisin e bërë për Asociacionin e Komunave Serbe (ASM) që pala kosovare (Hashim Thaçi) e kishte bërë duke shkelur Kushtetutën e vendit. Kosova nuk ishte shpërblyer, ndërkaq Serbia në anën tjetër ishte shpërblyer me hapjen e negociatave për anëtarësim.

Njohësit e BE-së e dinë se kushtëzimi është instrumenti kryesor i politikës së jashtme të BE-së në politikën e zgjerimit. BE-ja kushtëzon nënshkrimin e marrëveshjeve, bashkëpunimin, asistencën apo çdo hap në procesin e integrimit me një sërë kriteresh dhe kushtesh që duhet zbatuar.

Kushtëzimi i ka disa forma, sikurse politik e ekonomik, por më i rëndësishmi është ai që nga njohësit njihet si kushtëzimi “ex-ante” që nënkupton se nuk do të ketë asnjë shpërblim nga BE-ja pa u përmbushur kriteret e vendosura me detaje. Me këtë kushtëzim BE-ja shpërblen qasjen pozitive dhe ndëshkon atë negative.

Kushtëzimi jo çdoherë është parimor dhe kushtet nuk vendosen në favor të vendit kandidat, por ato negociohen për të qenë sa më shumë në favor të vendit kandidat duke përmbushur standardet e Unionit.

Në rastin e Kosovës, kushtëzimi për demarkacionin me Malin e Zi duhet parë si kusht politik që nuk ndërlidhet me procesin e integrimit të vendit në BE, por me një proces jashtë procesit të integrimit që është ai i liberalizimit të vizave.

Kushti duket si joparimor pasi nuk ka qenë standard i BE-së me shtetet tjera në procesin e liberalizimit të vizave, por kjo duhet kuptuar si dështim i palës kosovare për të pranuar kushte joparimore sepse me Brukselin gjithçka është negociata. Vendosja e kushtit për demarkacionin nuk është vendim i njëanshëm i Brukselit.

Për më tepër BE-ja në asnjë moment nuk ka kërkuar që kufiri të jetë në këtë pikë apo në atë pikë. Rrjedhimisht i takon palës kosovare që të zgjidhë konfliktin e brendshëm dhe të plotësojë kriterin e vendosur nga BE-ja.

Vendosja e tij si kusht nga BE-ja vjen më shumë si pasojë e faktit që ne kemi treguar se mund të jemi faktor destabiliteti për rajonin nëse na lejohet që vetëm të zgjidhim çështjen e kufijve.

Nga 4 maji, kur kushti për demarkacionin është publikuar së bashku me kërkesën për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, koalicioni qeverisës nuk ka bërë asnjë hap për të plotësuar këtë kusht.

Duke qëndruar me kokëfortësi mohuese në të drejtën e tyre, koalicioni qeverisës nuk i ka dhënë asnjë shans të drejtës së opozitës për të provuar pohimet e tyre. Për këtë nuk ka faj as Brukseli as Washingtoni.

Qeveria me qëllim ka sabotuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së brendshme për demarkacionin duke injoruar faktet e paraqitura për të ruajtur “kredibilitetin” e akterëve që e kanë nënshkruar dhe mbrojtur atë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK