Zërat
Lavdim Hamidi
Lavdim
Hamidi

'Listë të zezë' për hajnat!

Zërat June 24, 2016 - 23:21

Çmimi më i shtrenjtë për 1 milion euro në dy lote nuk ishte kurrfarë disavantazhi për kompaninë “Ada Group”, pronë e biznesmenit Avni Kastrati nga Buroja e Skenderajt, të shpallet fituese e një supertenderi institucional në vlerë prej rreth 10 milionë eurove.

Kjo kompani që udhëhiqet nga bashkëvendasi i presidentit Hashim Thaçi para një muaji arriti të shpallet fituese e tenderit për furnizim të disa institucione shtetërore me bukë, mish dhe ujë, pavarësisht se disa kompani konkurrente ishin dukshëm më të lira në këtë tender.

Madje, kompanitë që ofertuan me çmim më të lirë kishin edhe traditë më të gjatë në prodhim, mirëpo ky ishte argument i “lodhtë” për ta fituar këtë tender milionësh, krahas lidhjeve të forta të kompanisë së rekomanduar me partitë në pushtet, përkatësisht me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ky është vetëm një nga rastet e shumta kur kompanitë e lidhura me partitë që udhëheqin Qeverinë fitojnë tenderë milionësh, madje edhe me çmime shumë më të shtrenjta, përderisa kompanitë tjera skualifikohen nga gara, me arsyetimin se oferta e tyre nuk ishte e përgjegjshme.

Normalisht se një epitet të tillë si të papërgjegjshme, përkundër ofertës që në këtë rast do t’ia shpëtonte buxhetit 1 milion euro, kompanitë e marrin nga zyrtarët e prokurimit me sugjerime nga “lart”, të cilët janë meritorët kryesorë për vënien e “njollës së zezë” Kosovës në të gjitha raportet ndërkombëtare.

Fusha e prokurimit në Kosovë në çdo Raport të Progresit të Komisionit Evropian del të jetë më e korruptuara dhe ku keqpërdoren paratë e buxhetit të shtetit të varfër, për t’i dhënë tenderë kompanive, kryesisht atyre që japin më shumë “tall”, apo atyre që kanë lidhje me pushtetarët.

Në një shtet me shkallë të lartë të korrupsionit dhe ku me tenderë shpërblehen kompanitë e afërta me pushtetin nuk mund as të pretendohet se një ditë do të mundë të vijnë investitorë seriozë ndërkombëtarë.

Këta të fundit ishin interesuar për investime në telekom dhe energjetikë, siç është rasti me “Deutche Telekom”-in për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së para katër vjetëve, por gjermanët në atë kohë u tërhoqën nga gara pikërisht për shkak se menaxherët e telekomit akuzoheshin për korrupsion.

Edhe një gjigant tjetër gjerman, RWE u interesua të investojë 2 miliardë euro në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por pas një kohe u larguan nga vendi, sepse, siç thuhej jozyrtarisht, qeveritarët kosovarë u kërkonin aksione në këtë projekt të madh energjetik.

Dhe me tërheqjen e këtyre investitorëve seriozë, për telekomin dhe energjetikën erdhën në shprehje investitorë joseriozë, të cilët nuk mund t’i siguronin as paratë e premtuara për privatizim.

Për më keq, nga ky dështim ata synojnë të përfitojnë miliona euro duke e paditur Qeverinë në gjykata ndërkombëtare, siç është rasti me kompaninë “Axos”, për anulim të privatizimit të PTK-së.

Përgjegjësia për këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe ikjen e investitorëve seriozë perëndimorë padyshim se bie mbi pushtetarët kosovarë, të cilët duke e plaçkitur buxhetin e shtetit e kanë mbushur buxhetin personal dhe familjar.

Por, kush lodhet për përgjegjësi në një vend ku ‘peshqit e mëdhenj” të korrupsionit janë të paprekshëm nga prokurorët dhe gjykatësit vendorë dhe ndërkombëtarë?!

Nëse drejtësia vendore dhe EULEX-i në Kosovë po dështojnë t’i hetojnë dhe ndëshkojnë pushtetarët e korruptuar, atëherë një mundësi e mirë do të ishte që Washingtoni dhe Brukseli ta shpallin një “listë të zezë të korrupsionit”, njësoj si “Lista e zezë” e presidentit të SHBA-ve, Barack Obama, në të cilën figurojnë emrat e 37 shqiptarëve nga hapësirat ballkanike.

Të paktën qytetarët e Kosovës do ta dinë kush është në atë listë të korrupsionit, njësoj siç po dihet kush është në “Listën e zezë” të Obamës.
Pas përfundimit të luftës, Kosova është në situatë të vështirë pikërisht për shkak të korrupsionit të lartë, fenomen ky që po ia shkatërron të ardhmen edhe gjeneratave të reja të lindura pas vitit 1999. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK