Zërat
Igor Zlatojev
Igor
Zlatojev

Sa janë duke u përdorur gjuhët zyrtare në Kosovë?

Zërat June 08, 2016 - 11:30

Identiteti i secilit prej nesh, kultura dhe tradita e çdo populli pasqyrohet përmes gjuhës. Kosova në karakterin e multietnicitet frymon me diversitet të natyrshëm, me shumëgjuhësi, me të gjitha përparësitë, mangësitë dhe sfidat e saj.

Gjithashtu, Kosova ka një legjislacion pothuajse të përkryer në mbrojtjen dhe promovimin e gjuhëve që fliten në Kosovë. Por, sa zbatohet ky ligj në praktikë, sa janë duke u përdorur gjuhët zyrtare në Kosovë? Si trajtohet përdorimi i gjuhëve zyrtare në Kosovë nga këndvështrimi politik, ligjor, shoqëror dhe ai i integrimeve evropiane?

Kjo ishte tema e radhës që trajtoi Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me të ftuarit: Slaviša Mladenović, komisionar për Gjuhët, Remzije Istrefi, profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Prishtinës, dhe Robin Budd, sekretar i dytë i Ambasadës Britanike në Prishtinës i ngarkuar me çështje politike. Ky i fundit i është referua përvojës së Mbretërisë së Bashkuar, lidhur me problematikën gjuhësore atje.

I tërë debati u zhvillua rreth asaj se sa po zbatohen aktualisht ligjet në fuqi. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është hartuar dhe miratuar për t’u siguruar komuniteteve qasje të barabartë në institucione publike dhe organe qeveritare në gjuhën që ata e zgjedhin.

Siç theksoi komisionari Mladenović, “është me rëndësi të kihet parasysh se çështja e përdorimit të gjuhëve nuk mund të shihet si çështje e politikave për pakicat, por si çështje e zbatimit të ligjeve që aktualisht janë në fuqi”. Në të vërtetë, debati shpesh tepër i politizuar nuk po arrin të vërë në pah faktin se si komuniteti shumicë, ashtu edhe ai pakicë në zona të caktuara mund të jenë “ai tjetri”. Natyrisht, shteti nuk mund (dhe as nuk duhet) të bëjë aq shumë për të rregulluar të gjitha fushat e përdorimit të gjuhëve.

Një prej përshtypjeve nga ky diskutim ishte se kur është fjala për organet qeveritare shteti thjesht duhet të ketë një qasje më të vendosur, nëse jo për arsye politike, atëherë për qëllime të integrimeve evropiane – dokumentet e përkthyera dobët do ta përcjellin Kosovën edhe më vonë gjatë procesit të integrimeve evropiane. Është më mirë të parandalohet kjo që të mos ndodhë sesa të investohen shuma të mëdha parash për t’i korrigjuar dëmet.

Znj. Istrefi theksoi me të drejtë se çështja e përdorimit të gjuhëve është pjesë e problemit më të gjerë të mungesës së sundimit të ligjit. Në një shoqëri të pllakosur nga nepotizmi dhe klientelizmi, të drejtat gjuhësore nuk mund të zbatohen plotësisht pa ngritur implikime politike. Prandaj disa e shohin gjuhën si instrument të sovranitetit; dhe kështu humbet ai qëllimi fillestar i gjuhës si mjet i lidhjes së njerëzve për një qëllim të përbashkët.

Qasja e komisionarit Mladenović është bukur unike: në tri pyetje të ndryshme që u ngritën ai foli në gjuhën serbe, shqipe dhe angleze. Duket se komisionari e ka kuptuar se cili është mekanizmi për tejkalimin e barrierave të pathëna, të cilat shkojnë përtej praktikalitetit dhe futen në domenin e mosbesimit. Ai në mënyrë të sinqertë po përpiqet të komunikojë përtej vijave kulturore dhe gjuhësore për të qartësuar qëllimin e tij.

Nëse ai si kryesues i Zyrës së Komisionarit për Gjuhët nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në sundimin e ligjit në Kosovë (që është diçka shumë e vështirë edhe për institucionet që kanë kapacitete shumë më të mëdha), ai sigurisht se mund të përçojë mesazhin e sinqeritetit dhe bashkëpunimit përtej vijave etnike, kulturore dhe gjuhësore.

Duke pasur parasysh historinë e kohëve të fundit, nuk ka mundur të përcillet mesazh më i duhur, i cili edhe mbetet përshtypja ime më e madhe nga kjo ngjarje.                                                                                                                              

Z. Budd paraqiti një shembull shumë interesant nga Mbretëria e Bashkuar. Kohëve të fundit BBC-ja e transmetoi një ngjarje në dy gjuhët: në atë angleze dhe uelshe. Edhe pse numri i njerëzve që flasin gjuhën uellshe është i konsiderueshëm, vetëm 147 persona e shikuan transmetimin në internet në gjuhën uellshe, përderisa shumica dërrmuese, madje edhe e atyre që flasin gjuhën uellshe, e shikuan atë program në gjuhën angleze.

Megjithatë, po të mos e kishte siguruar BBC-ja përkthimin në gjuhën uellshe, kjo me siguri se do të konsiderohej si çështje politike. Kjo, besoj sinqerisht, është sfida më e madhe në Kosovë – se si komunitetet shumicë në lokalitetet e tyre të arrijnë në pikën ku e konsiderojnë mbrojtjen e të drejtave gjuhësore të të gjitha komuniteteve e jo vetëm të komunitetit të tyre, si vlerë të vërtetë evropiane pa iu kthyer nacionalizmit të asnjë lloji? Si të bartet debati nga fusha populliste në atë teknike?

Këto dhe sfida të tjera të ngjashme e presin Kosovën në të ardhmen, por ngjarjet si kjo janë mënyrë e përkryer për t’i dëgjuar shqetësimet e të gjithëve. Ishte evidente se vëmendje shumë më e madhe duhet t’i kushtohet përfshirjes së pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të vogla, siç janë komunitetet RAE, boshnjak dhe turk. Komentet e tyre nga audienca sigurisht se na përkujtuan të gjithëve se duhet të merren parasysh të gjitha këndvështrimet në procesin e vendimmarrjes.

(Autori është përkthyes/interpret i lartë në “Trankos Consulting”. Ai ka diplomë universitare në Shkencat Politike, drejtimi i Historisë nga Universiteti i Misisipit, dhe për komente mund të kontaktoni në [email protected])

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK