Zërat
Blerim Burjani
Blerim
Burjani

LDK dhe PDK, të majtë apo djathtë?

Zërat May 30, 2016 - 12:15

LDK-ja me veprimet e deritashme në këtë Qeveri më tepër është e majtë se e djathtë, kjo shihet me kujdesin e shtuar të kësaj Qeverie në rrafshin social. Pra marrja me çështje sociale, me skema sociale dhe aspekte shëndetësore janë mjaft pozitive, kemi një avancim pozitiv social në Kosovë, mund të themi se shkon kah kualiteti dhe krijimi i mirëqenies, sindikalistët përherë më të kënaqur. Kur të merret parasysh politika sociale dhe ajo shëndetësore të dy dikasteret qeveritare, siç është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria Shëndetësore, janë ministri që udhëhiqen nga LDK-ja dhe janë më të zëshme dhe MEF –i rolin qendror deri më tash e kanë luajtur këto dy ministri dhe Ministria e Financave që merret me gjëra me të cilat të mbushet mendja se ky ministër ka në duar tërë zhvillimin ekonomik. Gabim i madh, kjo Ministri ndan buxhet për ministri, marrja me politika fiskale dhe gjëra tjera që ka ndërmarrë kjo Ministri shumica prej tyre i takojnë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por ne kemi parë një rol të çuditshëm të kësaj Ministrie, e cila kompetencat e saj janë të ndajë buxhet për resorë të ministrive dhe të kujdeset për një Qeveri të mirëfilltë financiare të shtetit. Kompetencat e kësaj Ministrie janë të ndajë buxhet në përputhje me programin e Qeverisë, në rregulloren e punës të kësaj Qeverie, në nenin 7.1.1, thuhet: 

“Ministria e Financave merret me qëllim të shqyrtimit të plotë të ndikimeve të drejtpërdrejta ose tërthorta të propozimit në shpenzimet publike ose në ekonomi”. Por ka edhe çudira tjera, kur kjo Ministri merret me shumicën e gjërave për të cilat nuk është e thirrur dhe provon të qëndrojë mbi politikat e dikastereve të tjera. Kjo Qeveri e majtë e Kosovës e përbërë prej djathtistëve të bën përshtypje se s’ka zhvillim ekonomik, por më së lehti është të merren me problemet sociale dhe shëndetësore, dëshiroj të potencoj edhe një faktor të rëndësishëm, por edhe shumë të çuditshëm kur thuhet se kanë hyrë në punë 18.000 punëtorë të rinj, çudi e madhe më siguri kjo Qeveri mund të lavdërohet me një numër të madh të dikastereve qeveritare gjithsej 21 ministra e Kina ka një kryeministër dhe 4 zëvendëskryeministra dhe një sekretar gjeneral dhe i ka 23 ministri në portal të saj zyrtar edhe ne mirë po qëndrojmë me numër të ministrave, gati si Kina me numër.

Shumë pak me zhvillim ekonomik e po del se kemi punësim enorm në përputhje me zhvillimin ekonomik. Mjafton të dilni në kryeqytet të shihni sa lokale lëshohen me qira, përplot lokale afariste kanë mbetur bosh, s’ka asgjë nga zhvillimi i sektorit privat, pra çka është bërë deri tash, vetëm fjalë dhe asgjë më tepër. Nuk është mirë të thuhet kaq punësim se e kam përshtypjen, sikur edhe shumica e qytetarëve, se punësimi i proklamuar është larg shumë, këtë e dëshmon edhe Agjencia e Statistikave. Atëherë çka është kjo punë? Po u dashka të thuhet pa qenë a? Pra ka punësim enorm pa përputhje me ekonominë e tregut, nëse kjo Qeveri po mendon në punësim partiak në borde dhe shërbim civil dhe shërbim diplomatik, që kanë punësuar sa kanë mundur, këtu pajtohemi se është e vërtetë, sa kanë mundur, edhe kur s’kanë mundur e kanë lënë për më vonë.

Pra Qeveri e djathtë, Qeveri e biznesit, sa ndërmarrje private kjo Qeveri i ka nxitur në zhvillim ekonomik. A liroi kjo Qeveri bizneset e posathemeluara së paku 2 vjet nga tatimi, apo tash i është gjuajtur sektorit të OJQ-ve, që ky sektor as nuk ekziston. Prej 9000 OJQ gati as 20 nuk funksionojnë, pra 95% e tyre janë shuar dhe nuk funksionojnë fare. Kjo Qeveri OJQ-të i trajton me ligj si biznese njësoj, pra edhe iniciativave qytetare u erdhi fundi, janë shuar të gjitha pothuajse. Brenda këtij viti janë regjistruar rreth 900 OJQ e shuhen të gjitha ndoshta vitin e ardhshëm, veç nëse funksionojnë pa të hyra, se ndryshe as qira për zyra s’mund të paguajnë, çka të thuhet për këtë temë? Zhvillimi ekonomik i proklamuar është tërësisht i dështuar, veç çka të mundet vetë të zhvillohet biznesi, përshkallëzimi fiskal i pazbatueshëm, kjo i bie që nuk di, çdo reformë sikurse ligj duhet të jetë i zbatueshëm nëse nuk është s’e pranon tregu, ndërmarrjet private tregtare shumica nuk e zbatojnë reformën fiskale, përndryshe shkon në bankrot sektori privat. Ne kemi shpresën së paku ana sociale mund të përmirësohet dhe nëse hyn ligji për sigurime shëndetësore në fuqi, ne jemi në fitim të madh si qytetar, përndryshe krejt teposhtë po shkon!

Kjo Qeveri a e kupton veten si të majtë a po thotë se janë djathtë? Unë do të thosha, kur djathtistët bëhen të majtë, djathtizëm në një shtet fukara, mbi 70% pra të varfër, të varfër ekstrem 12 %, vetëm 18% e qytetarëve jetojnë jetë dinjitoze dhe normale dhe në luks. Këto klasa janë: ajo politike dhe një numër i biznesmenëve të lidhur me pushtetin, pra Kosova është një shtet ku shumica e qytetarëve shkojnë në det dhe ushqehen me star-kartela bankare dhe çdo i dyti në kredi me kamatat e kthimit enorm jonormal. Lehtë është të dalim e të flasim, por të veprojmë në suaza të zhvillimit ekonomik jemi larg. Po të shtojmë se Kuvendi është bllokuar kaherë dhe tash  pesë a gjashtë seanca të fundit i mban si në kohën e komunizmit pa kritikë, pa kurrgjë, atëherë çka është kjo punë?

Në ndërkohë, LDK-ja dhe PDK-ja i dërguan edhe një kontingjent ambasadorësh partiakë, përplot borde partiake, e përplot universitete publike pa kuadër, pritet tash diku 270 kandidatë për doktoratë, që janë regjistruar në një universitet privat të Shqipërisë, mbi 80% janë partiakë dhe në mesin e tyre ka edhe gjyqtarë e çka të duash, që do të pajisen me letra ditën e s’ditën. Prej tyre shumica janë moshë e shtyrë mbi 50 vjeç, pa punuar as mësues priten të bëhen profesorë, kjo është e vërteta e shtetit tonë.

Kjo Qeveri nuk ka bërë as nuk ka nisur të bëjë një reformë në administratën publike, adekuate të vogël dhe efikase në shërbim të qytetarëve. Shteti ka nevojë të madhe për kursime buxhetore, përderisa borxhi publik po rritet, ka shumë ligje të pazbatueshme.

Në Kosovë do të ishte mirë të këndellet qytetari, të mos votojë njerëz të tillë, shteti i Kosovës e meriton një pushtet dinjitoz që vlerë të veten e ka punën për qytetarët, ku Qeveria do të ishte më së shumti 11 ministri bazuar në zhvillimet ekonomike që ka dhe kapacitetet financiare për të mbajtur një administratë të vogël dhe efikase, të paanshme, me shumë pak borde dhe ndërmarrje publike, Kosova s’ka nevojë të ketë më shumë se dy a tri ndërmarrje publike, e as më shumë së tre universitete publike, deputetët të kenë paga vetëm për seanca të mbajtura dhe të hiqen privilegjet e absurdit duke varfëruar qytetarët, pra taksapaguesit.  

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK