Zërat
Lulzim Zeneli
Lulzim
Zeneli

Për një LDK me “vizion” dhe “qëndrueshmëri”

Zërat May 28, 2016 - 16:09

Lidhja Demokratike e Kosovës është, mbase në udhëkryqin më të madh prej vitesh. Përballë i ka dy sfida jo lehtë të përballueshme dhe të tejkalueshme: në njërën anë është në udhëheqje të Qeverisë, ku vështirësitë në përmbushjen e programit dhe premtimeve që u janë dhënë elektoratit janë të mëdha, ndërsa në anën tjetër kjo parti përballet me nevojën e pashmangshme dhe të domosdoshme të ndryshimeve të brendshme për ta bërë LDK-në një parti politike dinamike, tërheqëse për gjeneratën e re dhe gjithsesi aktive drejt rritjes së mëtutjeshme të saj.

Elektorati i LDK-së është i vetëdijshëm se të qenit në koalicion me një parti si PDK-ja, nuk është ndonjë privilegj me të cilën do të duhej të mburrej LDK-ja, sepse, për kujtesë të të gjithë neve, LDK-ja në zgjedhjet e fundit ka dalë partia e dytë në vend dhe jo e para, pra nuk është fituese e zgjedhjeve, por është në udhëheqje të Qeverisë në sajë të një marrëveshjeje koalicioni të arritur në momente kritike për vendin tonë.

Duke marrë në konsideratë sfidat e lartpërmendura dhe shumë të tjera, vlerësoj se LDK-së më shumë se kurrë i nevojitet insistimi i zbatimit maksimal të programit të saj në Qeveri, pavarësisht hezitimeve që mund të vijnë nga brenda apo pengesave qoftë edhe fizike që mund të orkestrohen dhe drejtohen nga opozita e vendit. Për të arritur këtë LDK-ja duhet të hapë debat të gjerë brenda strukturave të veta, jo vetëm për programin, por edhe për vizionin e së ardhmes si parti, vizion që do të ishte i pranueshëm dhe premtues për çdo qytetar të vendit tonë, e ky vizion politik i diskutuar dhe i miratuar gjerë, do të rimodelonte LDK-në si parti e rëndësishme e vendit tonë, e cila do ta konceptonte qartë pasqyrën e zhvillimeve të përgjithshme të vendit tonë pas 5, 10, 15 apo më shumë vjetësh, e jo të shkohet me improvizime të çastit dhe me projekte e vendime ad-hoc që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë LDK-në nga brenda dhe e zbehin rolin dhe rëndësinë e saj në politikëbërjen kosovare.

Ky vizion i rimodeluar i LDK-së do të jepte përgjigje të qartë dhe zgjidhje efektive në çështjet e forcimit të ligjit, rendit dhe sigurisë, zhvillimit të demokracisë, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe progresin e vazhdueshëm e të qëndrueshëm ekonomik, social, e kulturor të vendit tonë, duke e kthyer Kosovën në tregim të suksesshëm, me perspektivë të pashmangshme anëtarësimi në BE.

Për të arritur këtë, LDK-ja përmes vizionit të vet duhet ta bëjë të qartë përfundimisht dallueshmërinë prej partive të tjera në Kosovë. Pra, LDK-ja duhet të distancohet dhe të veprojë energjikisht kundër krimit dhe korrupsionit, kundër kulturës së pandëshkueshmërisë, kundër ekstremizmit fetar që po na rikthehet si njollë e zezë në imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, kundër monopoleve dhe klaneve të njerëzve me pushtet e ndikim formal e joformal politik. Kjo duhet të ndodhë sepse tradita e LDK-së është traditë e një partie me profil intelektual, akademik, pro-evropian, e në themel tolerante e demokratike.

Imediate për LDK-në është hapja ndaj kuadrove dhe njerëzve të rinj. Mbyllja në vete dhe riciklimi i figurave të njëjta tash e sa vite në strukturat e partisë, e ka shndërruar LDK-në parti inerte, me shumë pak gjak të ri brenda dhe me njerëz që para se ndërtimin dhe realizimin e një vizioni për të ardhmen e partisë interes primar kanë pushtetin e sotëm, akomodimin në funksione të caktuara qeveritare e komunale. Një praktikë e tillë e LDK-së duhet të ndryshojë, sepse para se pushtetin e sotëm, LDK-ja duhet të punojë për të nesërmen e saj, pra për rriten, zhvillimin dhe përtëritjen e saj.

LDK-së i nevojitet qëndrueshmëri. Qëndrueshmëria kërkon ruajtjen e kohezionit të brendshëm, e padyshim kohezioni i brendshëm ruhet dhe forcohet duke ndërtuar e respektuar standarde demokratike të organizimit dhe funksionimit partiak. Qëndrueshmëria është frytdhënëse kur ajo të jetë afatgjate, që bazohet mbi sistemin e vlerave dhe parimeve që burojnë nga vizioni për një LDK të fortë.

Prandaj, çdo ndryshim dokumentesh për organizimin dhe funksionimin e LDK-së duhet të bazohet, jo në interesin e pozicionit të sotëm të LDK-së, por për LDK-në e së nesërmes.

LDK-ja nuk duhet të vetëkënaqet me të qenit në Qeveri sot, nga pozicioni i partisë së dytë. LDK-ja duhet të organizohet e forcohet dhe të shtojë ambiciet e saja, që t’i fitojë zgjedhjet nesër, të dalë parti e parë. LDK-ja si parti e parë nuk na duhet vetëm neve, por i duhet Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Të arrihet kjo, LDK-së i nevojitet pa dyshim një ridimensionim i saj, nevojitet të demonstrojë vizion dhe qëndrueshmëri. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK