Zërat
Mytaher Haskuka
Mytaher
Haskuka

Kapja e mendimit të lirë

Zërat May 27, 2016 - 12:49

Në Kosovë të gjithë privatisht pajtohen që kemi kapje të shtetit. Një vit pas protestës së prillit kundër kapjes së shtetit, ku një aktivitet simbolik ishte zhvilluar para Radiotelevizionit të Kosovës, isha duke parë lajmet, nga 30 minuta edicion informativ, gjashtë prej kronikave ishin për Kadri Veselin. Madje njëra ndër to ishte edhe kronika për fjalimin e tij në shkollën ku ai kishte përfunduar. Çfarë vlere informative ka që qytetarët të dinë se ku ka përfunduar z. Veseli shkollën e mesme? Kjo nuk ka kurrfarë vlere informative pos asaj që e demonstron me shembull konkret se sa është i kapur shteti dhe institucionet publike në Kosovë.

Jorastësisht e kemi një kontroll të tillë të RTK-së, por edhe të një pjese të televizioneve private ngase të gjitha hulumtimet tregojnë se shumica e popullsisë në Kosovë nuk lexojnë gazeta (edhe për arsye financiare), por mbështeten në lajmet televizive për të kuptuar se çka po ndodh në vend. Prandaj kontrolli i televizioneve është edhe përpjekja për kontrollin e opinionit, të mendjeve dhe zemrave të qytetarëve. 

Në anën tjetër qeverisja përgjatë viteve është përkeqësuar aq shumë dhe ka pasur aq shumë skandale korruptive, saqë popullariteti i qeveritarëve dhe i pushtetit edhe me televizionin publik të kapur nuk po rritet. Pra inxhinieringu mediatik nuk po ka sukses që t’i kontrollojë deri në atë masë mendjet që t’i fitojë zemrat e qytetarëve të Kosovës.

Në këtë aspekt, hulumtimi i fundit i USAID-it dhe UNDP-së[1] lidhur me perceptimet e qytetarëve tregon që vetëm 15% e qytetarëve janë të kënaqur me performancën e kryeministrit dhe vetëm 20% janë të kënaqur me punën e kryetarit të Kuvendit. Këto statistika tregojnë se propaganda e medieve nuk ka më sukses në bindjen e qytetarëve që kjo Qeveri është duke punuar në interesin e tyre, prandaj edhe kënaqshmëria është më e ulët se asnjëherë tjetër.

Tani në mungesë të argumenteve për të rritur kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e Qeverisë dhe të figurave të komprometuara politike, strategjia e re mediatike e pushtetit është krijimi i apatisë sociale për mosveprim dhe fragmentarizim të skenës politike. Krijimi dhe përhapja e apatisë sociale bëhet nëpërmjet dy strategjive: e para është krijimi i imazhit që të gjitha subjektet politike janë të njëjta dhe që nuk kanë dallime me njëra-tjetrën dhe strategjia e dytë është fajësimi i shoqërisë për problemet që i kemi (për krimin, korrupsionin, varfërinë, papunësinë...).

Strategjia e parë ka për qëllim që të krijojë përshtypjen që pa marrë parasysh se kush është në Qeveri rezultatet do të jenë të njëjta, që prapë do të kemi krim, korrupsion, varfëri dhe papunësi. Në këtë aspekt sukseset e qeverive komunale nuk tregohen e në veçanti sukseset e Komunës së Prishtinës injorohen dhe mundohen të gjenden lajme negative për Prishtinën.

 Në të njëjtën taktikë të gjitha partitë parlamentare mundohen të paraqiten si të njëjta, e analistë të ndryshëm flasin për “kapjen e partive”, ku me qëllim ato që të gjitha paraqiten me vendimmarrje oligarkike, e që asnjëra sipas këtyre komenteve tanimë të përnatshme nuk kanë asnjëra program apo kanë programe të njëjta. Në të njëjtën kohë këta komentatorë (komentues) injorojnë edhe raportet e organizatave ndërkombëtare që tregojnë vlerësime pozitive për komunat e caktuara, por edhe për subjekte të caktuara politike.

Transparenca financiare e Lëvizjes “Vetëvendosje” injorohet, gjersa vendimmarrja e brendshme gjithmonë mundohet të paraqitet në frymën autoritare edhe pse të gjitha vendimet e rëndësishme të Lëvizjes merren në Këshillin e Përgjithshëm, që përbëhet nga delegatët nga të gjitha qendrat e Kosovës madje dhe diasporës e hapësirave të tjera shqiptare.

Po ashtu injorohet fakti se nga të gjitha subjektet parlamentare Lëvizja “Vetëvendosje” është i vetmi subjekt politik, i cili e ka programin politik dhe Alternativën Qeverisëse të qartë, të shkruar dhe të publikuar në uebfaqe e në letër ku në 116 faqe paraqiten politikat specifike ekonomike, sociale dhe qeverisëse[2].

Edhe analizat e institucioneve të ndryshme raportojnë qartë se “Vetëvendosja” është i vetmi subjekt politik që e ka profilin e qartë ideologjik. Së fundi në raportin “Busulla ideologjike e Kosovës”[3] e identifikon Lëvizjen si subjekt socialdemokrat me politika të majta ekonomike, gjersa të gjitha partitë tjera paraqiten si të djathta, por nuk kanë politika të qarta dhe të përcaktuara. Prandaj nuk mund të themi se të gjitha subjektet janë të njëjta dhe funksionojnë njëjtë.

Strategjia tjetër e krijimit të apatisë është që të fajësohet shoqëria dhe qytetarët për problemet. Kjo filloi me ministra, vazhdon me analistë, e besa edhe me disa ambasadorë. Por qartazi mund të konkludojmë se nuk është populli që ka faj. Varfëria nuk është ngase populli është për nga natyra jopunëtor, por ngase në vendin me pasuri të mëdha minerale shumica e resurseve natyrore u tjetërsuan apo mbeten jashtë funksionit ekonomik, për shkak të vendimeve e politikave të gabuara. Të vetmin problem që mund t’ia adresojmë popullit tonë është mirëkuptimi dhe durimi i skajshëm ndaj keqqeverisjes dhe qeveritarëve të korruptuar. Askund tjetër në botë populli nuk do të kishte duruar kaq shumë skandale korruptive me kaq mirëkuptim.

Prandaj derisa konstatojmë kapjen e shtetit dhe të institucioneve publike mundemi po ashtu të konstatojmë edhe kapjen e hapësirës publike të mendimit të lirë. Çdo mendim dhe iniciativë që është në kundërshtim me “frymën e kohës”, të paraqitur nga kontrollues të medieve demonizohet dhe stigmatizohet si e prapambetur, nacionaliste, staliniste, enveriste, por edhe aziatike, neotomane, lezbiane, homoseksuale, e etiketime tjera. Por as ky terror mbi mendimin nuk do të na bëjë që të mendojmë njëjtë me ata që kanë kapur shtetin dhe resurset e vendit tonë. Ne do të vazhdojmë të mendojmë në liri. Ne nuk do të fajësojmë popullin për problemet e as të tërhiqemi anash duke thënë që nuk mund të ndryshohet asgjë.

Edhe pse gjithmonë ka vend për kritika dhe përmirësim nga koha që jam bashkuar me Lëvizjen “Vetëvendosje” unë jam befasuar për të mirë për atmosferën e hapur dhe debatin kritik që zhvillohet brenda. Aty kam parë një bastion të mendimit kritik. Unë gjithmonë do të jem për mendimin e lirë sado e papërshtatshme të jetë kjo. Çdo mendim ndryshe shpie në debat dhe çdo debat duhet të përfundojë në anën e fakteve dhe provave, këtë frymë unë e ndiej në “Vetëvendosje”.

Në çdo takim ne kemi debate të zjarrta, por në momentin që vendosen konkluzionet atëherë vazhdojmë bashkë ngase vetëm nëse ecim bashkë në të njëjtin drejtim kapërcimi i kësaj situate të zymtë është i mundshëm.

(Autori është deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Republikës së Kosovës)

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK